Islami nuk ka zbritur në një vakum historik pa njerëz, por gjithmonë ka zbritur në shoqëri njerëzore të cilat janë udhëhequr nga koncepte, zakone, rregullat të caktuara që nuk ka qenë i lehtë ndryshimi i tyre, qoftë edhe nga fjalët hyjnore, sepse Zoti nuk mori përsipër t’i ndryshojë realitetet njerëzore me mrekulli, por nëpër mes njerëzve që besuan në fjalët e Zotit. Domethënë, Kurani nuk u shpall për të krijuar një realitet njerëzor nga e para, por për të ndërvepruar me realitetin që tashmë ekziston dhe për t’i udhëzuar njerëzit brenda kushteve të tij drejt drejtësisë dhe përmirësimit. Konfuzioni ndodh kur njerëzit ngatërrojnë realitetin që ka gjetur Kurani dhe feja, me realitet që ka krijuar feja. Për shembull, lufta është një realitet që nuk është shpikur nga Kur’ani, përkundrazi, është një sistem historik i rrënjosur në mesin e qenieve njerëzore para shpalljes së Kur’anit. Prandaj, kur Kur’ani shpalli ajetet e luftës, ai i mësonte besimtaret si të përballeshin me atë realitet ekzistues. Xhizja është një sistem i vendosur në marrëdhëniet e kombeve në atë kohë, dhe është shprehje e ndikimit politik të kombeve të fuqishme, Kur’ani nuk e ka vendosur, por e ka gjetur dhe trajtuar pastaj. Skllëvëria është një realitet që nuk është krijuar nga Kur’ani, përkundrazi, është një normë që mbizotëron në mesin e kombeve dhe Kur’ani nuk ka mundur ta shfuqizojë menjëherë, sepse nëse Kur’ani shfuqizonte skllavërinë, ekuilibri global do të prishej sepse kombet e tjera do t’i skllavëronin muslimanët, ndërsa muslimanët nuk mund t’ju përgjigjeshin, kështu që çështja u la në pjekurinë e përvojës njerëzore dhe historike, por në të njëjtën kohë ai i inkurajoi besimtarët që t’i lirojnë robërit dhe ta bëjnë atë një nga veprat më të mëdha të mirësisë dhe drejtësisë, ndërsa nuk ka asnjë ajet të vetëm që u bën thirrje muslimanëve të marrin iniciativën për të skllavëruar të tjerët..