Mos e humb shpresën në mëshirën e Allahut!

Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) transmeton se Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Një ditë një qen po sillej rreth një pusi, pasi e kishte kapluar etja për vdekje.

Atë e pa një imorale prej Beni Israilëve. Ajo hoqi këpucën e saj dhe me të i dha ujë qenit derisa u ngop dhe për këtë vepër iu falën mëkatet.” (Buhariu dhe Muslimi)
Dobitë që përfitohen nga hadithi:

Mëkatet e mëdha shkatërruese ka mundësi që Allahu i Madhëruar t’i falë për shkak të disa veprave të pakta vullnetare.

Njeriu nuk duhet të përçmojë punën sado e vogël qoftë ajo, sepse ndoshta në atë vepër të vogël mund të fshihet shpëtimi dhe fitorja për në Xhenet.
Edhe tek kafshët ka shpërblime; të mëshirshmit do t’i mëshirojë i Plotmëshirshmi, Allahu i Madhëruar.

Inkurajimi për të treguar bamirësi me njerëzit, sepse nëse falja e mëkateve dhë mëshira arrihen duke i dhënë të pijë ujë një qeni, atëherë dhënia ujë një muslimani patjetër që ka shpërblim më të madh.

Në hadith shihet rëndësia e dhënies ujë. Gjithashtu në një hadith është përcjellë nga i Dërguari i Allahut (alejhi selam) se ka thënë: “Sadakaja më e mirë është dhënia e ujit.” (“Sahih el xhami” 1113)

“Ngjarjet e popujve të hershëm” Shejh: Mesh’hur Hasen Selman (Allahu e ruajt!)./Mesazhi/