Gjykatësi i rastit “Monstra” Vlladimir Tufekxhiq nuk komenton mundësinë për rigjykim të rastit. Sipas tij, në kohën kur janë zhvilluar hetimet ai personalisht asnjëherë nuk ka qenë prezent në vendin e ngjarjes. Tufekxhiq pretendon se rasti nuk ka prapavijë politike.
“Unë nuk kam qenë pjesë e hetimit në vendin e ngjarjes. Kjo lëndë është formuar 20 ditë pas arrestimit në Departamentin për krim të organizuar. Nuk dua të besoj se pas gjithë kësaj ka ndonjë interes politik i cilësdo elitë politike, pasi që nuk besoj se në Maqedoni ka njerëz të cilët nuk duan që të marrin fund spekulimet dhe dilemat juridike për këtë ngjarje tragjike. Pretendimet për dyshime të cilat i potencoi Prokurorja Liljana Spasovska janë serioze dhe hapin shumë pyetje, posaçërisht kur bëhet fjalë për këtë rast pasi që me këto pretendime sulmohet drejtpërdrejtë vendimi, besueshmëria e provave materiale dhe relativiteti i tyre”, deklaroi gjykatës Vlladimir Tufekxhiq.
Tufekxhiq shton se në rast se ekzistojnë me të vërtet përgjime të cilat lidhen me rastin në fjalë, është koha e duhur kur të njëjtat duhet të dorëzohen në Prokurori. Nga ana tjetër Prokurorja e rastit “Monstra”, Gordana Geshkovska nuk komenton zhvillimet e fundit. Në një bashkëbisedim telefonik, Geshkovska drejton gishtin nga gjykata për të cilën thotë se duhet të mbaj përgjegjësi për sjelljen e vendimit. Geshkovska shkurt u shpreh se “kam vepruar në bazë të fakteve dhe provave që më janë mundësuar”.
Alsat M drejtoi pyetje edhe deri tek gjykatësi i lëndës në shkallën e parë, Ivica Stefanovski. Ndonëse deri në këto momente nuk morëm asnjë përgjigje, Alsat kërkoi nga Stefanovski të shpjegojë se: Pse mbrojtjes asnjëherë nuk iu lejua të bëj verifikim të provave të cilat Gjykata i kishte në dispozicion? A jeni të njoftuar se mbrojtja ka dyshime të bazuara në fakte se për rastin në fjalë akuzohen persona të pafajshëm? dhe Si do ta arsyetoni vendimin e shkallës së parë, nëse Gjykata Supreme vendos që lëndën ta kthej nga fillimi?
Ditë më parë, në seancën e Gjykatës Supreme për rastin “Monstra”, Prokuroria Publike propozoi rishqyrtim të lëndës. Organi akuzës duke marr për bazë ankesat e mbrojtjes dhe njëkohësisht duke kryqëzuar provat me rrethanat, por edhe më dëshmitë e siguruara nga materialet e përgjuara , ka konstatuar se akuza për këtë rast është e dyshimtë dhe se ka argumente të forta që për rastin në fjalë vuajnë persona të pafajshëm. Për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës në vitin 2012, me burg të përjetshëm u dënuan 6 persona nën akuzën për vepër terroriste.