Bashkimi Evropian nuk do të ndërhyjë për lirimin e drejtorit të Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, i arrestuar javë më parë nga autoritetet serbe, nën akuzat për “Terrorizëm”. Kuvendi i Kosovës javën që shkoi përmes një rezolute të miratuar kërkoi nga BE-ja që të ndërhyjë për lirimin e Thaçit, por zyrtarët e Bashkimit Evropian theksojnë se ata janë duke e vëzhguar nga afër procesin ndaj tij, por nuk i komentojnë proceset gjyqësore.
“BE-ja si ndërmjetësues dhe garantues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë përmes mekanizmave të saj detyrues të ndërhyjë te Qeveria e Serbisë që të lirohet Nehat Thaçi”, thuhej në pikën e parë të rezolutës së miratuar nga Kuvendi.
Por, në një përgjigje për gazetën “Zëri” Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thotë se pavarësia e gjyqësorit pa asnjë interferim politik është ajo për çka angazhohet BE-ja, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë ndërhyrje politike në këtë proces.
“Bashkimi Evropian është duke e përcjellë nga afër procesin gjyqësor lidhur me arrestimin e Nehat Thaçit, mirëpo, si një rregull e përgjithshme, BE-ja asnjëherë nuk komenton për proceset të cilat janë në zhvillim.