Një gjykatë braziliane ka urdhëruar policinë të hetojë një ushtar izraelit të akuzuar për krime lufte në Gaza, pas një ankese nga Fondacioni Hind Rajab (HRF), njoftoi grupi të premten, duke e quajtur këtë zhvillim si një “moment historik”, transmeton Anadolu.
Një javë më parë, HRF-ja pretendoi se i dyshuari – që thuhet se aktualisht ndodhet në Brazil si turist – ka marrë pjesë në prishjen e shtëpive të civilëve si pjesë e fushatës gjenocidale të Izraelit.
“Ky individ kontribuoi në mënyrë aktive në shkatërrimin e shtëpive dhe mjeteve të jetesës”, tha avokatja e HRF-së Maira Pinheiro, duke cituar prova me video dhe fotografi që lidhin të dyshuarin me aktet, sipas grupit.
HRF-ja është një organizatë që mbron drejtësinë, të drejtat e njeriut dhe përgjegjësinë për shkeljet e ligjit ndërkombëtar, veçanërisht në kontekste që përfshijnë konflikte të armatosura dhe krime të dyshuara të luftës.
– “Moment historik”
Familjet e viktimave i janë bashkuar çështjes në Gjykatën Federale të Rrethit Federal, duke kërkuar drejtësi me mjete ligjore.
HRF-ja ka bërë thirrje për arrestimin e menjëhershëm të të dyshuarit, duke paralajmëruar rrezikun e ikjes nga Brazili dhe manipulimin e provave.
Gjykata, duke u thirrur në Kodin e Procedurës Penale të Brazilit, urdhëroi veprime urgjente hetimore, duke shënuar një shembull historik të një nënshkruesi të Statutit të Romës që zbaton dispozitat e tij brenda vendit.
“Ky është një moment historik”, ka thënë Dyab Abou Jahjah, kryetar i grupit.
“Kjo vendos një precedent të fuqishëm për mbajtjen e kriminelëve të luftës përgjegjës”, ka shtuar ai.