Mohammedi 7-vjeçar nga Gaza që humbi syrin nga një municion i pashpërthyer

Një fëmijë palestinez 7-vjeçar humbi njërin sy si pasojë e shpërthimit të një municioni të pashpërthyer, raporton Anadolu.

Mijëra tonë bomba dhe mbetje eksplozivi që Izraeli ka përdorur që nga 7 tetori janë si “bomba me sahat” që kërcënojnë jetën e civilëve edhe pas sulmeve.

Shtatë-vjeçari Mohammed Hijazi, nga kampi i refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës, ishte një nga viktimat e municioneve izraelite që shpërthyen më vonë.

Fëmija palestinez humbi syrin e djathtë pasi një objekt që ai preku shpërtheu teksa po luante para shtëpisë së tij, dhe copëzat e goditën fytyrën, syrin dhe trupin e tij. Nëse Mohammedi nuk trajtohet jashtë vendit, ai rrezikon të humbasë edhe syrin e majtë.

Edhe pse familja mundohet t’ia lehtësojë dhimbjen fëmijës së tyre të rraskapitur fizikisht dhe psiqikisht dhe ta ngushëllojë atë, Mohammedi përjeton thellësisht dhimbjen dhe pasojat në çdo sferë të jetës.

  • Humbi syrin duke luajtur para shtëpisë

Duke folur për Anadolu, Mohammedi i vogël tha: “Unë isha duke luajtur me shokët e mi. Preka diçka dhe më shpërtheu një bombë në fytyrë. Babai im dëgjoi shpërthimin dhe më dërgoi menjëherë në spital”.

Babai i Mohammedit, Khalid Hijazi tha se djali i tij doli për të luajtur me shokët e tij para shtëpisë së tyre të rrënuar muajin e kaluar.

“Mohammedi pa një objekt të çuditshëm në tokë duke luajtur, u bë kureshtar. E preku dhe i shpërtheu në duar. Kur shkova atje, e gjeta të mbuluar me gjak. Ishte një skenë shumë e dhimbshme për mua. E dërguam shpejt në spital, por për shkak të mungesës së ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore, e dërguan në një spital tjetër. Syri i tij i djathtë u hoq atje dhe ende është në gjendje kritike”, tha Khalid Hijazi.

  • Gara me kohën

Babai i Mohammedit tha se djali i tij duhet të transferohet sa më shpejt jashtë Gazës për mjekim që të mos verbohet plotësisht. Ai i bëri thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe shëndetësisë duke thënë: “Dëshiroj shumë ta shoh përsëri duke parë me syrin e majtë. Le të kthehet në jetën e vjetër, të luajë, të qëndrojë në këmbët e veta, ashtu si moshatarët e tij”.

Vlerësohet se ka më shumë se 30 mijë mbetje eksplozive të luftës në Rripin e Gazës.

Zëdhënësi i policisë së Gazës, koloneli Mohamed al-Zarqa tha se sipas vlerësimeve ka mbi 30 mijë mbetje shpërthyese të luftës të shpërndara në të gjithë Rripin e Gazës, që paraqet rrezik të madh për jetën e civilëve.