Situata në Mianmar nuk është në rend dite të takimit të sotëm joformal të ministrave të punëve të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që mbahet në kryeqytetin e Estonisë, Talin, njoftoi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.
Mogherini në konferencën e përbashkët për gazetarë me shefin e diplomacisë estoneze, Sven Mikser, tha se ministrat e vendeve anëtare të BE-së biseduan për çështjen e programit bërthamor të Kores së Veriut, procesin e paqes në Lindjen e Mesme, krizën politike në Venezuelë dhe radikalizimin dhe luftën kundër terrorizmit në vendet kandidate për anëtarësim në BE.
Ajo rikujtoi se brenda BE-së ekziston pajtueshmëri parimore për rritjen e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut.
Mogherini deklaroi se “është e pamundur të flitet për procesin e paqes në Lindjen e Mesme” duke theksuar se BE-ja mbështet zgjidhjen me dy shtete kur janë në pyetje marrëdhëniet e Izraelit dhe Palestinës.
Në pyetjen e gazetarëve për qëndrim të BE-së ndaj zhvillimeve në Mianmar, Mogherini u përgjigj se Mianmari nuk ka qenë në rend dite. “Mianmari nuk është në rend dite”, tha Mogherini dhe shtoi se nuk dëshiron të flas për tema që nuk kanë qenë në rend dite të takimit të sotëm.
BE-ja në njoftimin e para disa ditëve bëri thirrje “që të gjitha palët në Mianmar të ulin tensionet”, por në atë njoftim nuk kishte dënim ndaj dhunës mbi muslimanët e Arakanit.