Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, pas takimeve të realizuara gjatë vizitës së saj në Maqedoni, deklaroi se qëllimi i vizitës së saj është që të përcjellë mesazhin se BE-ja është e angazhuar në integrimin evropian të këtij vendi, por edhe të të gjithë rajonit, raporton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesja e lartë e BE-së tha se çështja mbetet te lidershipi i Maqedonisë se a duan të humbin ende kohë apo të ecin përpara, pasi që sipas saj, BE-ja është e gatshme të ecë përpara në rrugën e integrimit evropian të këtij vendi.
Mogherini foli edhe në lidhje me refuzimin e presidentit Gjorge Ivanov për dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re liderit i cili dëshmoi shumicën parlamentare, duke theksuar se “ka kërkuar nga presidenti që të ndryshojë vendimin në interes të të gjithë qytetarëve dhe këtij vendi, si dhe të respektojë kushtetutën e këtij vendi, sipas të cilës mandati i përket palës e cila ka shumicë parlamentare”.
“Besoj se do të ishte e pamundur për çdo kë që të bind dikë në botën demokratike se shumicës së anëtarëve të Kuvendit që përfaqësojnë shumicën e qytetarëve në një shtet unitar nuk u lejohet të formojnë qeverinë. Kjo shkel frymën e demokracisë dhe është në kundërshtim me partimet themelore demokratike, si dhe me procesin e integrimit euro-atlantik që është deklaruar prioritet nga të gjithë liderët e partive politike, përfshirë edhe nga vet presidenti, por jam e bindur se është prioritet edhe për të gjithë qytetarët e vendit”, deklaroi Mogherini.
Mogherini theksoi se vizita e saj është në një kohë me të vërtetë të komplikuar me politikën dhe situatën e krizës në këtë vend, ndërsa u shpreh se qëllimi nuk është që BE-ja t’i tregojë këtij vendi mënyrën e zgjidhjes së krizës, por qëllimi është të tregojë se interesohet për këtë vend dhe qytetarët e këtij vendi.
“Të gjithë liderët politik dhe ata që kanë përgjegjësi institucionale të përmbahen dhe t’u shmangen retorikave të ndryshme, që kjo krizë politike dhe institucionale të mos bëhet një konflikt ndëretnik apo edhe më keq një konflikt gjeopolitik. Ky është një vend i ndërlikuar në një rajon të ndërlikuar dhe jetojmë në një kohë të ndërlikuar. Ne nuk kemi nevojë për benzinë, sepse tashmë kemi mjaftueshëm zjarr”, porositi përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.
Mogherini shtoi se takimet e saj në Maqedoni, veçanërisht ai me presidentin Gjorge Ivanov, ishin shumë të rëndësishëm, si dhe u shpreh se ditëve në vijim do të kuptojmë sa ishin konstruktive këto takime. Ajo shtoi se shpresat dhe pritjet e qytetarëve të këtij rajoni janë integrimi evropian.
“Ne jemi shumë serioz për këtë dhe dera jonë është plotësisht e hapur. Ne duam që ky vend të jetë brenda dhe anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo është arsyeja e vizitës sime të sotme. Mirëpo, jo vetëm për këtë vend, por për të gjithë rajonin. Ky është interes i yni, por është edhe interes i të gjtihë qytetarëve të këtij rajoni”, deklaroi Mogherini.
Mogherini vjen në Maqedoni pas takimeve që kishte në Podgoricë në kuadër të turneut ballkanik. Ajo realizoi takime me përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, liderët e gjashtë partive politike të përfaqësuara në Kuvend, si dhe me presidentin e vendit, Gjorgje Ivanov.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së ishte paraparë që të vizitojë Bosnje dhe Hercegovinën, mirëpo nuk udhëtoi për shkak të mjegullës në aeroportin në Sarajevë. Siç është paralajmëruar, gjatë ditës së nesërme Mogherini do të shkojë në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb, Tomisllav Nikoliç, kryeministrin Aleksandar Vuçiç dhe liderët e tjerë politikë. Në të njëjtën ditë, do të vizitojë edhe Shqipërinë, ku do të takohet me presidentin shqiptar, Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të tjerë të partive parlamentare.
Të shtunën, Federica Mogherini do të qëndrojnë në Kosovë, ku në Prishtinë do të takohet me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, me kryeministrin Isa Mustafa dhe përfaqësues të tjerë politikë, ndërkaq do të vizitojë edhe Mitrovicën.
Pas vizitës së saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, Federica Mogherini pritet të bëjë raport për gjendjet në rajon, i cili më pas do të shqyrtohet në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së, ndërkaq do të jetë edhe temë e Samitit të Këshillit të caktuar për më 9 dhe 10 mars.