Ballina Artikuj Modernizimi i Shqipërisë dhe ‘Neo’ Nacionalizmi Shqiptar (1920-1939) – Fragmente

Modernizimi i Shqipërisë dhe ‘Neo’ Nacionalizmi Shqiptar (1920-1939) – Fragmente

PhD Merjeme Gashi

“Aventura” e modernizimit të shoqërive joperëndimore është një proces i barabartë me përpjekjet e tyre për t’iu ngjasuar shoqërive perëndimore; të modernizohesh në të njejtën kohë do të thotë të perëndimorizohesh. Ajo që ndodhi në të vërtetë është se procesi i modernizimit të shoqërive perëndimore u zhvillua spontanisht dhe falë dinamikës së “brendshme” për të paktën katër shekuj. Ndërsa procesi i modernizimit të shoqërive joperëndimore ndodhi brenda një periudhe të shkurtër kohore, i udhëhequr nga “forcat lëvizëse” intensive të faktorëve “të jashtëm” dhe nuk rrodhi në mënyrë spontane. Modernizimi i shoqërive perëndimore ishte “organik”, ndërsa ai i shoqërive joperëndimore u mundua të realizohej si një proces i “udhëhequr”, kompleks dhe më shumë i bazuar në ngjashmëri apo imitim. Në këto shoqëri, gjatë procesit të modernizimit elita intelektuale shërbeu si “udhërrëfyes” dhe “urë” midis shoqërive të tyre.
Kur shikojmë përpjekjet e mbretit Zogu për modernizim të Shqipërisë, duket se ai zgjodhi të krijojë një ideologji të re dhe një grup simbolesh që do ta çonin përpara shoqërinë shqiptare në mënyrë të shpejtë dhe jo graduale. Një qasje e tillë e modernizimit të vendit ngjason dhe është në një vijë me atë që Mustafa Kemal Atatürk zbatoi në shoqërinë turke. Modernizimi i të dyja shoqërive në vend se të arrihej në mënyrë “spontane”, “ngadalë”, “nga brenda”, “nga poshtë-lart”, ai u mundua të arrihej me një “forcë lëvizëse”, “shpejtë”, “me zor” dhe “nga lart-poshtë”.
Ideja e “ndryshimit të gjithçkaje që është e vjetër dhe tradicionale” përcaktoi proceset e modernizimit të të dy shteteve, Shqipërisë dhe Turqisë. Edhe pse intelektualët e periudhës së shtetndërtimit dhe “krijimit të një identiteti të ri” ishin për një model modernizimi “realist”, “kontekstual” dhe “përshtatës”, drejtuesit e regjimit kishin një tendencë më radikale. Turqia i ka ofruar Shqipërisë “recetën” për të hequr qafe “të shkuarën që kërkohet të harrohet dhe të fshihet” dhe për të arritur modelin e dëshiruar perëndimor.
Modernizimi shqiptar është një projekt i paprëfunduar në të cilin ndërthuren thyerjet, këputjet dhe vazhdimësitë. Për të interpretuar përpjekjet në nismën e modernizimit të Shqipërisë dhe për të prodhuar ide të reja, ka nevojë për një sociologji unike të Shqipërisë, për përcaktim të kufijve (jo shtetëror), për të vënë paraprakisht në pikëpyetje dhe peshore idetë e huaja dhe jo për t’iu dorëzuar domosdoshmërisht qasjeve me qendër perëndimore.
———————————————————————-
Disa paragrafe nga Përfundimi i tezës së doktoratës: “Arnavutluk Modernleşmesi ve ‘Yeni’ Arnavut Milliyetçiliği (1920-1939)” [Modernizimi i Shqipërisë dhe ‘Neo’ Nacionalizmi Shqiptar (1920-1939)]

PhD Merjeme Gashi

Exit mobile version