Studiuesit e feve besojnë se ekzistojnë shumë lloje të religjiozitetit, prej të cilave më të rëndësishmet janë:
1. Fetaria mendore,
2. Fetaria afektive,
3. Fetaria rituale,
4. Fetaria shoqërore,
5. Fetaria si zakon,
6. Fetaria utilitare,
7. Fetaria si reaksion,
8. Fetaria populiste, dhe
9. Fetaria patologjike
1. Fetaria mendore
Është zotërimi njohurive teorike-fetare dhe aftësia për ta mbrojtur atë, pa pasur kjo ndonjë ndikim praktik në fetarinë e tij, qoftë rituale apo shpirtërore.
Këtë lloj fetarie e gjejmë në mesin e disa njerëzve, të cilët nuk dallohen me ndonjë praktikim rigoroz të ritualeve, as me diçka shpirtërore që do t’i ndriçonte zemrat e tyre. Por, ata kënaqen me ide dhe diskutime fetare, duke besuar në to intelektualisht dhe duke i mbrojtur me hollësi dhe maturi. Si shembull, mund të jenë disa studiues të teologjisë nga Mu’tezilët, të cilët ishin ndër njerëzit më logjik dhe racional në mbrojtjen e doktrinave të Islamit dhe mrekullive kuranore, edhe pse në jetën e tyre private nuk njiheshin si fetarë, në kuptimin e fetarisë rituale ose ndjenjës sentimentale.
2. Fetaria afektive
Është një entuziazëm i fortë emocional për fenë dhe për simbolet fetare, pa i njohur në thellësi realitetet e fesë, ose respektim të rreptë ndaj mësimeve të saj.
Kjo lloj fetarie është shumë e shprehur te masat e gjera të myslimanëve të zakonshëm, dhe te njerëzit me veprime instinktive që kanë ndjenja të ndezura, sidomos kur e vizitojnë Mekën dhe Medinën, ose fushën e betejës së Bedrit etj. Kjo fetari mbizotëron sidomos mbi disa njerëz, edhe nëse ata nuk janë në gjendje të provojnë të vërtetat e fesë me një demonstrim mendor, ose edhe nëse nuk i përmbahen plotësisht fesë në jetën e tyre personale dhe shoqërore.
3. Fetaria rituale:
Është një përkushtim i përpiktë ndaj ritualeve dhe shterimi i gjithë energjisë fetare në rituale, duke i neglizhuar kështu në masë të madhe detyrat e tjera shoqërore që i urdhëron feja.
Ithtari i kësaj fetarie të gjithë energjinë e tij e shkarkon në kryerjen e ritualeve, siç janë nafilet vullnetare nga namazi, agjërimi etj. Nga ana tjetër, e shohim se i neglizhon detyrat shoqërore që Islami e urdhëron t’i bëjë, nuk ndjen kurfarë interesi për hallet e myslimanëve, siç nuk ka solidaritet me dhimbjen e tyre. Kështu që, atë e gjejmë shumë të vullnetshëm për Haxh dhe Umre, por ai nuk kujdeset e as nuk është bamirës për njerëzit e varfër, për të cilët bamirësia mund të jetë më e nevojshme dhe më emergjente nga pikëpamja e Sheriatit.
4. Fetaria shoqërore
Ushtrimi i gjithë energjisë fetare në shërbim të shoqërisë, pa ndonjë përpikmëri të madhe ndaj mësimeve të fesë në jetën personale.
Disa njerëz kanë tendencë të zbatojnë aspektin shoqëror të fesë, dhe ju i shihni që ata bëjnë shumë bamirësi, u pëlqen t’u shërbejnë njerëzve, të mbajnë flamurin e Islamit të valëvitet, vuajnë dhimbjet e muslimanëve dhe gëzohet me gëzimet e tyre. Sidoqoftë, nuk kanë shumë përkushtim në jetën e tyre personale, madje mund të mos kenë njohuri të mjaftueshme për Islamin.
5. Fetaria si zakon
Është aplikimi i riteve fetare, në mënyrë zakonore, pa njohuri të thella të kuptimeve dhe normave të tyre, duke mos menduar as për funksionin e tyre shoqëror. Kjo është një formë e fetarisë rituale, por më shume si zakon sesa si një adhurim i gjallë.
6. Fetarizmi utilitar(interes):
Është një angazhim për pamjen e jashtme të fesë, respektimin e simboleve të saj për hatër të shoqërisë.
Kjo lloj fetarie zvogëlohen kur ka vështërsi dhe, rritet kur ka benifite dhe lakmi. E kundërta e Ensarëve-Zoti qoftë i kënaqur me ta, të cilët ofroheshin kur kishte vështirësi dhe largoheshin kur kishte benifite dhe lakmi. Ithtarët e kësaj fetarie janë shumë afër hipokrizisë, jo hipokrizi në kuptimin e besimit që në dukje shfaq islamin dhe fsheh mosbesimin, por më shumë është një hipokrizi në sjellje. Këtë fetari shpesh e gjejmë te politikanët, për shembull, i gjen vazhdimisht në lutjet e Bajramit, sepse aty janë të pranishëm masat dhe mediet, por ata nuk e kryejnë namazin e Xhumasë, edhe pse është një detyrim individual; vazhdimisht bëjnë veprime të dëmshme dhe të pamatura, e para prej të cilave është padrejtësia dhe korrupsioni, megjithatë mbajnë fjalime në fillim të Ramazanit dhe gjatë festave fetare, si dhe na tregojne thënie profetike.
7. Fetaria si reaksion
Kjo fetari zakonisht gjendet në mesin e atyre njerëzve me të kaluar kriminale, ose atyre me një të kaluar të papastër, të cilët e humbin veten dhe e kalojnë jetën e tyre pas dëshirave. Njerëzit me të kaluar kriminale dhe me të kaluar të turpshme ndonjëherë tentojnë të reagojnë, dhe të manifestojnë ekstremizëm fetar, dhe këtë e bëjnë si një lloj kompensimi a pishmanllëku psikologjik për të kaluarën e tyre në të cilën ishin të pamatur me fenë dhe moralin.
8. Fetaria populiste
Është ngjyrosje e fesë me një ngjyrë folklorike, në të cilën bidati përzihet me sunetin, kultura historike me tekstet e shpalljes, dhe zakonet e njerëzve me vendimet e Islamit. Kjo kohëve të fundit po bëhet model në Umetin Islam, veçanërisht nga njerëzit me nivel të ulët të arsimimit dhe të kulturës. Kështu që, ju i vëreni lehtë ata se si nuk i përmbahen bazave të fesë, se si nuk e bëjnë dallimin midis asaj që është autentike në atribuimin e të Dërguarit-paqja dhe bekimet qofshin mbi të, dhe çfarë është joautentike, ata nuk bëjnë dallimin midis asaj që është shpallje e vërtetë dhe çfarë janë trillime të ithtarëve të librit, siç nuk bëjnë dallimin midis vendimeve të Sheriatit dhe midis zakoneve dhe traditave që janë përzier me fenë gjatë gjithë epokave.
9. Fetarizmi patologjik
Kjo fetari gjendet në disa sëmundje psikologjike, manifestohet në formën e vizioneve dhe thirrjeve fetare të çuditshme, të cilat nuk mbështeten nga mendja dhe as nga teksti, e që shpesh shpërfaqet me ekstremizma të neveritshëm, pastaj me çrregullime që ndërlidhen me botën e exhinnëve, duke i dhënë mësyshit fuqi të jashtëzakonshme, mbinatyrore etj. Ndonjëherë gjeni edhe asi çmendurish që pretendonjnë të jenë Mehdiu i pritur, ose pretendojnë se e dinë të fshehtën, ose pretendojnë se takohen me të Dërguarin, ose çdo gjë e lidhin me ëndrrat dhe mitet që ekzistojnë te disa popuj, ku supersticioni dhe gënjeshtra mbizotërojnë në kulturën e tyre dhe kur mendimi racional e logjik tërhiqet prej tyre.
– Halil Avdulli