Pas përfundimit të pushimeve të verës dhe afrimit të datës së regjistrimit të popullsisë, shtohet përsëri interesi dhe aktivizimi i diasporës për t’u vet regjistruar.
Nga Shoqata e dollogozhdarëve në Zvicër thonë se numër më i madh shoqatave dhe vullnetarë të ndryshëm nga më shumë vende, kanë filluar kontaktet për t’u organizuar, me qëllim që t’u ndihmojnë të gjithë mërgimtarëve që të regjistrohen.
“Jemi vazhdimisht në kontakt me shoqatat tjera ku bisedojmë për bashkëpunime edhe për atë se si do të vazhdojmë me regjistrimet. Jemi në bashkëpunim me të gjitha shoqatat tjera… Gatishmëria është e madhe, vullneti është i madh dhe besoj se do ta vazhdojmë punën siç ishte para pushimeve.”- deklaroi Vezir Dervishi, Shoqata e dollogozhdarëve në Zvicër.
Dervishi thotë se lidhur me organizimin, për momentin nuk kanë pasur kontakte me institucione nga vendi. Ai shton se do të përdorin hapësira të ndryshme, ku vullnetarët do të presin qytetarët që kanë nevojë për ndihmë teknike për t’u regjistruar.
“Do të vazhdojmë si para pushimeve verore që e kishim objektin në Regesdof në kanton të Cyrihut tek xhamia, ku patën mundësi të gjithë qytetarët të regjistrohen me ndihmën e vullnetarëve, të njëjtat mundësi do i ofrojmë edhe më tutje. Kush ka mundësi mund të lajmërohet në shoqatat e tyre.”- pohoi Sinkron: Vezir Dervishi, Shoqata e dollogozhdarëve në Zvicër.
Nga Enti i Statistikave thonë se pasi u prolongua data e fillimit të regjistrimit, kishte rënie të madhe të interesit të mërgimtarëve për regjistrim. Zëvendësdrejtori Elmi Selami njofton se gjatë sezonit të verës ka pasur deri në 15 regjistrues në ditë. Por ditëve të fundi numri i të regjistruarve shkon deri në 50 persona në ditë.
Ky regjistrim është i vlefshëm, ky regjistrim është i ligjshëm, prandaj diaspora duhet ta shfrytëzojë këtë moment, duhet ta kapë momentin, duhet të regjistrohet sepse vërtet me regjistrimin do të bëjë një punë të madhe, si në aspektin kombëtar ashtu edhe në aspektin shtetëror, në aspektin e evidencës sonë, që njëherë e përgjithmonë ta dimë se sa njerëz kemi jashtë, çfarë etnie i kemi, si jetojnë ata, ku jetojnë ata, në cilat shtete i kemi, e kështu me radhë.- tha Ilmi Selami, zv/drejtor i Entit të Statistikave.
Vetë regjistrimi online i mërgatës filloi më 1 mars të këtij viti dhe do të vazhdojë deri në 30 shtator, kur do të përfundojë edhe afati për regjistrimin e popullsisë rezidente. Deri më tani janë regjistruar më shumë se 190 600 mërgimtarë. /alsat