Mjeku norvegjez: Al-Shifa u shndërrua në një shtëpi vdekjeje nga Izraeli

Mads Gilbert

Mjeku norvegjez, Mads Gilbert, i cili punoi në spitalin Al-Shifa për 16 vjet, tërheqjen e Izraelit pasi e ktheu spitalin në gërmadhë, e interpretoi si kthimi i “shtëpisë së shërimit” në “shtëpi të vdekjes”, transmeton Anadolu.

Prof. dr. Gilbert në postimin në llogarinë e tij në rrjetet sociale X, kujtoi se Izraeli shkatërroi spitalin Al-Shifa me 700 shtretër, kompleksi më i rëndësishëm mjekësor në Gaza.

Duke kujtuar se kompleksi u ndërtua gjatë periudhës së mandatit britanik, Gilbert tha: “‘Shtëpia e shërimit’, e quajtur Al-Shifa u shndërrua në ‘shtëpi vdekjeje’ nga Izraeli dhe SHBA-ja, u dogj, u shndërrua në rrënoja dhe u kthye në një varr për pacientët, personelin mjekësor, të afërmit dhe refugjatët”.

Gilber thekson se ky është simbol i qartë i politikave të pashpirta dhe të liga pushtuese koloniale të Izraelit që synojnë shkatërrimin e popullit palestinez, institucioneve dhe jetës së tij sociale.

“Qeveritë e SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar duhet të kenë turp për mbështetjen e tyre për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të Izraelit. Shikoni me kujdes fushat e vrasjeve në Al-Shifa dhe mos harroni kurrë gjenocidin e Gazës dhe autorët e saj!”, tha ai.

Izraeli njoftoi sot se po tërhiqej nga kompleksi më i madh shëndetësor i Rripit të Gazës, spitali Al-Shifa dhe rrethinat e tij, pas sulmeve që filluan më 18 mars dhe zgjatën për 14 ditë.

Gjatë sulmeve 14-ditore, ushtria izraelite vrau më shumë se 200 palestinezë në spitalin Al-Shifa dhe rrethinat e tij dhe arrestoi më shumë se 900 palestinezë.