Për mjekrën flitet çmos. Ka lloj lloj shprehjesh apo edhe batutash për mjekrën. Ca flasin me ironi, ca me injorancë, ca me tendencë..! Në fakt mjekra është pjesë përbërëse e fytyrës së meshkujve.
Dhe mendoj që është gabim të thuhet që dikush e ka lëshuar mjekrën, por duhet të thuhet që dikush e paska hequr mjekrën, sepse mjekrra është në fytyrën e burrit, e tani ata që nuk duan ta kenë, e heqin. Ka një tendencë që nëse dikush e lëshon mjekrën, disi ndihet sikur kur e ka siguruar xhennetin, sepse po e praktikon një sunnet të pejgamberit- Muhammedit a.s.
Sikur kur mjekra qenkash kusht i Islamit. Në fakt mjekra është bartur që nga paraqitja e njerëzimit. Biles në kohërat e para iluminizmit as s’është diskutuar bartja e mjekrës tek meshkujt, madje as nuk i ka shkuar mendja dikujt që ta rruan mjekrën, sepse nuk do të i përngjante burrit. Të kthehemi tek sunneti. Kam përshtypjen që paragjykohem për përzierje kompetencash sa i përket mjekrës si sunnet, por ishallah nuk paragjykoj. Muhammedi a.s. dhe shokët e tij madje edhe gjithë të tjerët ishin me mjekra edhe para se të fillonte zbritja e Kuranit, me një fjalë Muhammedi a.s. barte mjekër edhe para se të dërgohet si Pejgamber, me gjithë shokët e tij. Vazhduan të bartin mjekrën edhe pasi filloi shpallja e islamit. Por, mjekra që bartej ishte mjekër pa rregulla dhe pa një lloj etike në vetvete. Kurse pas shpalljes së islamit, me kalimin e kohës, Muhammedi a.s. gjatë edukimit të besimtarëve me mësimet islame, me etikën islame, me rregullat e higjienës sipas mësimeve islame, i këshilloi besimtarët për mënyrën se si duhet të mbahet mjekra: “Rregulloni mjekrën dhe shkurtoni mustaqet”. Kjo dë të thotë, vurje në sistem ose në kornizat edukative islame të bartjes së mjekrës. As nuk iu tha që zgjatne mjekrën, e as lëshone gjysëm cm. Kështu që mjekra e rregulluar dhe mustaqet e shkurtuara me qëllim të zbatimit të këshillës dhe praktikës së tij, është sunnet, çdo bisedë tjetër rreth mjekrës është vetëm muhabet.
Nga Bajram Ramadani