Mjekëve s’u paguhen shtesat prej 300 eurosh, MSH arsyetohet se listat nuk plotësuan kriteret

Ministria e Shëndetësisë me anë të një komunikate për media ka treguar se pse nuk janë ekzektuar shtesat në paga prej 300 eurosh për personelin shëndetësor që ka qenë i angazhuar në luftën kundër COVID-19.

Në njoftim thuhet se arsye e mospagesës është se në listat e ardhura në MSH, ka pasur mospërputhshmëri me kriteret e vendimit të qeverisë dhe udhëzimet, shkruan lajmi.net.

“Për këtë arsye, SHSKUK si organizatë buxhetore, i ka kthyer listat që të rishikohen nga menaxherët që njëjtat të jenë konform vendimit të Qeverisë”, kanë thënë nga MSH.

I NGJAJSHËM

OPOZITA I VË KUSHTE QEVERISË PËR TA VOTUAR NË SHTATOR PROJEKTLIGJIN PËR RIMËKËMBJE EKONOMIKE

Tutje, ministria ka thënë se përderisa nuk bëhen rishikimet e duhura, nuk mund të kryhen pagesat.

Njoftimi i plotë nga ministria e Shëndetësisë:

Ministria e Shëndetësisë dëshiron të njoftoje se arsyeja e mos pagesës deri më tani e shtesës prej 300 eurove për kategoritë sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 05/18 të datës 29.07. 2020 për punonjësit e SHSKUK-së është se listat e ardhura në MSh nga SHSKUK kanë pasur mospërputhshmëri me kriteret e vendimit të Qeverisë dhe udhëzimet e saj.

Për këtë arsye, SHSKUK si organizatë buxhetore, i ka kthyer listat që të rishikohen nga menaxherët që njëjtat të jenë konform vendimit të Qeverisë.

Përderisa nuk bëhen rishikimet e duhura në këto lista, nuk do të mund të kryhen pagesa.

Siç dihet, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtesa mujore në vlerë prej 300 euro ka të bëjë me mjekët, infermierëve dhe teknikëve të cilët janë marrë drejtpërdrejt me trajtimin e pacientëve me Covid-19 dhe me kategoritë e profesionistëve nga institucionet si:

IKSHPK-ja,

Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut,

Departamenti i Shëndetësisë në Burgje,

SHSKUK dhe Spitalet e përgjithshme si njësi të saj si dhe

QKMF-të në Komuna. Sipas vendimit, organizatat buxhetore (të listuara më lart) janë përgjegjëse të përgatisin dhe aprovojnë me shkresë përmes Zyrtarit Kryesor Administrativ dhe Zyrtarit Kryesor Financiar të organizatës listat e personelit të tyre shëndetësor dhe të njëjtat t’i përcillen Ministrisë së Shëndetësisë, e cila pasi të konstatojë përputhshmërinë me kriteret e vendimit dhe udhëzimet e saj, i dërgon ato lista në Thesarin e Kosovës (Ministri të Financave) për procesim sipas Sistemit të Pagave, përkatësisht për pagesë retroaktive për dy muaj së bashku me pagën mujore të muajit gusht.