Mjekët kanë nisur të pranojnë pacientë me shenja të gripit sezonal, vaksimi tek në nëntor

Qysh në javën e parë të tetorit mjekët familjarë krahas pacientëve që dyshohen si të infektuar me COVID-19, kanë nisur të pranojnë edhe ata me gripin sezonal.

Simptomat pothuajse të ngjashme me gripin dhe ato të COVID-19 sipas doktoreshës Drita Gashi-Peqani, po e bën më të vështirë diagnostikimin, për çka në rastet kur ka dyshime, kërkohet testimi për COVID-19, raporton KOHA.

Ndonëse sipas Peqanit tetori është muaji kur duhet të nisë edhe vaksinimi kundër gripit sezonal sidomos te grupmoshat e rrezikuara, si personat me sëmundje kronike, shtatzënat dhe fëmijët mbi 5 vjeç, ai ende nuk ka nisur.

“Vaksinimi fillon në muajin tetor për arsye se imuniteti fillon pas dy javë në mënyrë që të jenë personat e gatshëm të kenë imunitet ta përballojnë kontaktin me gripin sezonal. Vitin e kaluar ka nisur me vonesa për shkak të sigurimit të vaksinave, mirëpo tash zakonisht duhet të rekomandohet që personat që vuajnë nga sëmundje kronike dhe shtatzënat të merren vaksinat si dhe fëmijët mbi 5 vjeç”, ka thënë Peqani.

Ndonëse Ministria e Shëndetësisë thotë se deri më tani janë siguruar mbi 160 mijë vaksina për gripin sezonal, vaksinimi mund të nisë vetëm gjatë muajit nëntor.

“MSH-ja përmes UNICEF-it ka prokuruar 160 mijë e 500 vaksina kundër gripit sezonal, të cilat në fund të muajit tetor do të transportohen në Kosovë dhe vaksinimi do të fillojë në muajin nëntor. Me të arritur këto vaksina do të shpërndahen në njësitë e vaksinimit dhe do të fillojë vaksinimi në të gjithë vendin për grupet që konsiderohen me rrezik. Ideja është që mbulueshmëria me vaksinim të jetë shumë më e lartë se vitin e kaluar për shkak të qarkullimit të virusit Sars COVID-19”, kanë thënë nga MSH-ja.

Në fillim të muajit shtator ishte anuluar për furnizim me rreth 400 mijë vaksina për gripin sezonal pasi që kishte dështuar të zgjidhet operatori për furnizim me këto vaksina.

Tejkalimi i çmimit, shumëfish më shumë se ajo që ishte paraparë nga Ministria e Shëndetësisë, ishte arsyeja e anulimit të tenderit.

Deri më tani vaksina për gripin sezonal ishin blerë përmes UNICEF-it, ndërsa Ministria e Shëndetësisë për herë të parë këtë vit ka nisur procedurat tenderuese për sigurimin e kësaj vaksine.