Mjekët e pavaksinuar s’do punojnë nga sot! Sindikatat në Francë paralajmërojnë katastrofë shëndetësore

Nga dita e sotme në Francë hyn në fuqi rregulli i ri: Mijëra mjekë, punonjës shëndetësorë dhe staf në shtëpitë e përkujdesit do duhet të tregojnë se kanë bërë vaksinën, përndryshe nuk do të lejohen të punojnë. Dhe pezullimi deri në kryerjen e vaksinës nuk do të jetë i paguar.

Duke filluar nga sot: Personeli i spitalit, shoferët e ambulancës, punonjësit e shtëpive të të moshuarve, mjekët privatë, anëtarët e shërbimit zjarrfikës dhe njerëzit që kujdesen për të moshuarit apo të sëmurët në shtëpitë e tyre që janë rreth 2.7 milion njerëz në total duhet të dëshmojnë se kanë bërë të paktën një dozë vaksine.

Presidenti Emmanuel Macron lëshoi ultimatumin dy muaj më parë, por me mijëra janë ata që ende nuk e kanë bërë vaksinën.

Një nga sindikatat më të mëdha të sektorit publik të Francës ka paralajmëruar për një “katastrofë shëndetësore” nëse qeveria pezullon nga puna punonjësit e shëndetësisë dhe ndalon mjekimet në sektorin privat nga mjekë të pavaksinuar.

Shumë prej punonjësve shëndetësorë janë bërë pjesë e protestave të atyre që kundërshtojnë vaksinën për të hyrë në restorante, kafene dhe muze. Ditën e djeshme, qindra njerëz morën pjesë në një demonstratë të udhëhequr nga sindikatat jashtë ministrisë së shëndetësisë në Paris.

“Pavarësisht nëse jemi të vaksinuar apo jo, ne jemi kundër që të bëhet me detyrim”, tha për France 24 Valerie, një asistente infermiere 57-vjeçare.

Çfarë efektesh ka vendimi i Macron?

-Operacione të anuluara.

Sipas mediave franceze, një spital në qytetin jugor të Montelimar ka anuluar me dhjetëra operacione të planifikuara në javën e ardhshme për shkak të mungesës së anestezistëve të vaksinuar. Vlerësimet e publikuara nga agjencia kombëtare e shëndetit publik një javë më parë treguan se rreth 12 % e stafit të spitalit dhe rreth gjashtë % e mjekëve në spitalet private ende nuk ishin vaksinuar.

Federata kombëtare e punonjësve të ambulancës FNMS në fund të gushtit vlerësoi se 13 % e anëtarëve të saj ende po i rezistonin vaksinave të koronavirusit.

Amel Benothman, një infermier 41-vjeçar dhe baba i tre fëmijëve që punon në një spital psikiatrik në qytetin verior të Lille i ka thënë se është shumë për efektet anësore të vaksinës dhe se nuk do e bëjë, edhe nëse do e pushonin nga puna. “Unë tashmë e kam kaluar virusin dhe mendoj se rreziqet nga vaksina tejkalojnë përfitimet”.

-Franca nuk është vendi i parë që ndërmerr hapa për të detyruar njerëzit që punojnë me personat e pambrojtur të vaksinohen.

-SHBA

Presidenti amerikan Joe Biden javën e kaluar i bëri vaksinat të detyrueshme për miliona punonjës federalë dhe kontraktorë, si dhe biznese me mbi 100 punonjës.

-Itali

Në Evropë, Italia e bëri vaksinën të detyrueshme për punonjësit e shëndetësisë në fund të majit dhe planifikon të zgjerojë masën në stafin e shtëpive të të moshuarve në tetor.

-Greqi

Ndërsa Greqia tashmë e ka prezantuar atë në të dyja kategoritë.

Qeveria franceze, pavarësisht paralajmërimeve për protesta më të mëdha ka deklaruar se nuk do të tërhiqet! /tiranapost