- Ideja për themelim të “shtetit bektashi”, për më tepër, mbetet një aksion politik tërësisht jotransparent në argumentim dhe me pasoja për gjithë kontekstin shoqëror, gjithë dimensionet e trajektores identitare, që në harmoni të plotë funksionojnë brenda universit shqiptar. Për më tepër, një ide e këtillë i cenon ato ekuilibra të brendshëm te shqiptarët, të mbrujtur si dimensione identitare në njësinë kombëtare.
- Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë
- Afishimi i idesë për krijimin e një “shteti bektashi” brenda Tiranës, shtetit shqiptar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbetet një “mister” më vete. Doza e “misteriozitet” bëhet akoma më intensive kur kemi parasysh që kjo ide befasisht u publikua në gazetën prestigjioze “The New York Times”, pa ndonjë paralajmërim paraprak dhe pa ndonjë hapje debati të brendshëm brenda shtetit shqiptar. Sigurisht, në rastet kur ide të këtilla shfaqen në opinion pa ndonjë diskutim dhe paralajmërim paraprak, mjegulla e dyshimeve shtrihet gjithandej në opinion publik. Kjo paqartësi e afishimit të befasishëm të kësaj ideje, sigurisht që u jep krah ndërkohë konspiracioneve të ndryshme, të cilat zakonisht shfaqen pas ideve dhe veprimeve jotransparente për publikun.
- Në gjithë këtë situatë, me kaq shumë pak informacion mbi origjinën, zhvillimin dhe afishimin medial të kësaj ideje, mund “të lulëzojnë” variante të shumta interpretimesh, por në esencë mbetet një tis paqartësie dhe trazimi në opinion që lejon hamendësime të llojllojshme. Aty ku mungon argumentimi logjik, i qartë, transparent dhe thellësisht korrekt me opinion, zakonisht shfaqet nebulozë, shfaqen keqinterpretime, konspiracione dhe, mbi të gjitha, mjegull e dendur dyshimi.
- Kjo ide mund të shihet në disa plane, por pavarësisht nga hamendësimet që mund të shfaqen, gjithçka mbetet në nivel spekulimesh, sepse vetë ideja në këtë rast, për nga rëndësia publike dhe, në këtë rast, edhe historike, i tejkalon idetë e zakonshme politike. Kjo ide nuk është e zakonshme. Përkundrazi, është një ide që përfshin brenda vetes një kompleksitet çështjes që ndërlidhen me historinë, identitetin shqiptar, me trashëgiminë plurale fetare dhe, mbi të gjitha, me vetë esencën e idealitetit historik të shtetit shqiptar dhe vetë nocionin e së ardhmes së tërësisë së konsoliduar historike të shtetit dhe, përgjithësisht, të nocionit komb, që gjallnon mbi premisa tashmë të kristalizuara në rrugën e historisë.
- Gjithçka mund të jetë kjo ide, por vetëm e zakonshme nuk mund të jetë. Mbase mund të interpretohet si një shenjë për të shfaqur një lloj libelarizimi brenda shqiptar, mbase për të krijuar një kontekst politik në peizazhin e ndërvarësive gjeostrategjike ose mbase për të krijuar një atraksion turistik. Gjithë këto hamendësime dhe të tjera që mund të radhiten vetëm mund ta shtojnë “misteriozitetin” e kësaj ideje të befasishme, që vjen në këtë kohë me një mjegull të dendur, por edhe me një shqetësim për pasojat e paparashikueshme që mund të ketë brenda habitusit shqiptar.
- Sigurisht, reagimet që fokusohen në konceptin e kushtetutës së shtetit shqiptar, janë vetëm një dimension i trajtimit të kësaj ideje, ndërkohë që para opinionit hapen edhe tema tjera, të cilat shkojnë përtej interpretimeve konstitucionaliste, që shkojnë përtej relativizimit teknik dhe relativizmave të tjera, që mbase përpiqen që këtë ide ta fusin në “dhëmbëzorët” e procedimit publik si një normalitet të vetëkuptueshëm. Por, ideja për themelim të shtetit bektashi, për më tepër, mbetet një aksion politik tërësisht jotransparent në argumentim dhe me pasoja për gjithë kontekstin politik, gjithë dimensionet e trajektores identitare, që në harmoni të plotë funksionojnë brenda universit shqiptar.
- Për më tepër, një ide e këtillë i cenon ato ekuilibra të brendshëm te shqiptarët, të fermentuara si dimensione identitare në njësinë kombëtare. Sigurisht, kjo ide duket tërësisht e papranueshme edhe për vetë trashëgiminë e pasur të bektashizimit te shqiptarët, që përgjatë rrugës së historisë i ka dhënë identitetit shqiptar pikërisht substancën e harmonisë dhe të njësimit të më tepër feve në qenësinë shqiptare. Mbase, në këtë rast, mund ta rikujtojmë poetin kombëtar, Naimin Frashërin, në veprën e të cilit ne gjejmë përhershmërinë e ekzistencës shqiptare, të shenjtëruar në gjithë poetikën e tij të romantizmit.
- Sigurisht që mund të hamendësojmë mbi qëllimet e kësaj ideje, por pak rëndësi ka se çfarë interpretimi do t’i japim. Një gjë mbetet e sigurt, që bektashizmi, sikurse edhe fetë e tjera, kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në kristalizimin e nacionalizmit shqiptar, gjegjësisht në jetën kombëtare shqiptare, gjithnjë duke e ruajtur atë distancë të domosdoshme që nevojitet për të mos i dhënë determinime fetare qenësisë shqiptare.
- Kjo ide është në drejtim të kundër të gjithë përpjekjeve shekullore edhe të vetë komunitetit bektashi për ta konsoliduar njësinë kombëtare përtej të gjitha besimeve, përtej të gjitha instrumentalizimeve të mundshme fetare. Ky është pakti suprem i ekzistencës së kombit shqiptar, është pakt i mbrujtur në rrugën e historisë, që në asnjë rast nuk duhet të cenohet me ide donkishoteske, pavarësisht qëllimeve që mund të ketë. Për më tepër, kjo ide atakon trashëgiminë plurale fetare të shqiptarëve, që mbetet shembull unik në botë. Përfundimisht, politika në asnjë rast nuk duhet të luajë me çështje që i prekin ekuilibrat e brendshëm të njësisë kombëtare. Përkundrazi, politika gjithnjë duhet të kultivojë me përgjegjësi maksimale gjithë këtë trashëgimi fetare, që natyrshëm është mbrujtur në njësinë kombëtare. /revistashenja