Rasti i konfliktit të këtyre ditëve, përpos se ishte shumë i rëndë, është edhe shqetësues për gjendjen në të cilën po kalon rinia jonë.
Ajo që e rëndon më shumë situatën është se viktima (tashmë i vdekuri) ishte një jetim i rritur pa baba e nënë, i cili në fakt do të duhej të ishte i përkdheluri i shoqërisë, e në asnjë mënyrë të përfundojë jetën në këtë mënyrë tragjikisht.
Të parë tanë kur kanë takuar ndonjë fëmijë jetim, zakonisht i kanë dhuruar ndonjë para, sheqerkë, apo së paku kanë përkdhelur kokën e tij, në shenjë solidariteti e afërsie ndaj tij. Kjo traditë duhet kultivuar me fanatizëm.
Ky, dhe raste të tjera të ngjashme na tregojnë se sa i thellë është problemi i edukimit të brezit të ri dhe sa ka mungesë të aktiviteteve edukative në shoqërinë tonë.
Ky, dhe raste tjera të ngjashme, na tregojnë se është imediate që të gjithë akterët relevantë të mobilizohen drejt një edukimi të mirëfilltë të rinisë sonë.
Sikurse çaji që ka nevojë për sheqer që t’i japë shije, edhe procesit të edukimit duhet hedhur pak porosi hyjnore, sepse vetëm kështu mund të arrijmë deri te suksesi i garantuar nga Krijuesi ynë.
Qoftë rasti i fundit që na ndodhë neve si shqiptar e myslimanë të këtyre trojeve e këtij nënqielli!
Nga: Hoxhë Eset Qerimi