“Mizori e papërshkrueshme” – Walker kujton Reçakun: I tregova botës se kush ishte përgjegjëse

“Mizori e papërshkrueshme”.

Kështu e paraqit para botës, ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Wiliam Walker, masakrën që ndodhi 26 vite më parë në Reçak.

Walker në në Akademinë përkujtimore për masakrën e Reçakut tha se sot është kujtesë për atë se çfarë ka ndodhur 26 vite më parë.

“Sot, është kujtesa e asaj çfarë ka ndodhur para 26 viteve në këtë fshat për të cilin nuk është dëgjuar më parë. Më duhet të them se kur jam kthyer e më treguan se çfarë ka ndodhur më është dashur të pyes se ku është Reçaku dhe çfarë ka ndodhur aty. Pastaj, krejt rastësisht vendosa që unë të vij në Reçak dhe pash atë se çfarë pash. Pasdite, ju tregova atyre që dëshironin t’i dëgjonin fjalët e mia vetëm për atë se çfarë unë kam parë dhe çfarë kam interpretuar dhe kush ka qenë përgjegjës për këtë”, tha ambasadori Walker.

Walker deklaroi se e vërteta e Reçakut nuk ishte e vështirë për ta deklaruar, pasi sipas tij është e qartë se çfarë kishte ndodhur.

“Kjo nuk ka qenë e vështirë për ta thënë e deklaruar, ka qenë e dukshme dhe e qartë – që 45 civilë të pafajshëm u qëlluan, u morën nga fshati edhe burra edhe gra e djem të rinj nën kërcënimin armës së armatës serbe dhe u vranë. Ishte e qartë çfarë ka ndodhur aty. Ishte e vërteta për këdo që ishte me mua aty në mëngjes dhe unë thjesht i tregova botës se çka pash… Kjo ka qenë para 26 viteve”, tha ai.