Misvaku: Mjet për pastrimin e dhëmbëve

Misvaku: Mjet për pastrimin e dhëmbëve

Ebu Hurejra, r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: ” Po të mos kisha frikë se do ta rëndoja ummetin tim, do t’i urdhëroja ta përdorin miswakin para çdo namazi.”
Aishja, r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Misvaku është mjet për pastrimin e gojës dhe kënaqësi për Krijuesin.”

Shpjegimi i hadithit:

I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, u ka kërkuar myslimanëve të përdorin misvakun para çdo namazi (të paktën pesë herë në ditë). Misvaku (ose sivaku) është një rrënjë që merret nga një pemë ose shkurre e vogël e quajtur “El-Arak” (Salvadora Persica). Gjithashtu, merret nga shkurre të tjera, si ulliri i egër (i njohur si El-’Utm) ose shkurre “Es-Sambur”. Megjithatë, misvaku më i mirë është ai që merret nga rrënjët e nëndheshme të shkurreve “El-Arak”. Misvaku mund të merret edhe nga degët e gjelbra, por cilësia e tij është më e dobët krahasuar me atë që merret nga rrënjët e nëndheshme.
Shkurret El-Arak rriten në Gadishullin Arabik dhe në rajone të thata të Azisë Perëndimore dhe Afrikës Veriore. Ato kanë shumë degë dhe gjethe të gjelbra me ngjyrë të verdhë të zbehtë. Gjithashtu, ato kanë sythe të ndjeshme dhe fruta të njohura si “kabas”. Këto fruta janë në formë kokrrash (ose topthash), të cilat fillimisht janë të kuqe dhe më pas nxihen, duke përmbajtur një erëz që hap oreksin. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, në shumë hadithe të tij ka rekomanduar përdorimin e rregullt të misvakut.
Testet laboratorike kanë treguar se një copë (nga lëvorja e nëndheshme) e arakut (misvakut) përmban shumë substanca kimike. Këto substanca janë shumë efektive në ruajtjen e higjienës orale, sepse përmbajnë përbërës antibakterialë që mbrojnë dhëmbët nga prishja dhe mishrat e dhëmbëve nga sëmundjet bakteriale (gingiviti).
Disa nga këto përbërës janë: tanini, vaji i mustardës dhe glukoza, të cilët kanë një aromë të mprehtë dhe një shije të fortë pikante. Përveç këtyre kimikateve, araku përmban edhe substanca aromatike (sakaride), minerale dhe fibra bimore natyrale që përmbajnë karbonat natriumi, një nga përbërësit që përdoret në prodhimin e pastës së dhëmbëve.
Ky informacion nuk ishte i njohur për njerëzit në kohën e Shpalljes Hyjnore, madje as shekuj më vonë. Fakti që i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, rekomandoi përdorimin e misvakut para çdo namazi e bën atë të parin që nxit higjienën orale dhe mbrojtjen e gojës dhe dhëmbëve nga infeksionet bakteriale të dëmshme. Kjo gjithashtu tregon kujdesin e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, për higjienën orale, pasi ushqimi kalon nëpër gojë drejt sistemit tretës të trupit të njeriut. Pasi ushqimi përtypet në gojë, thërrimet e tij ngecin midis dhëmbëve dhe mishrave të dhëmbëve. Këto thërrime ushqimi, nëse nuk largohen rregullisht, kalben dhe mbushin gojën me kërpudha dhe baktere që mund të shkaktojnë shumë sëmundje, përfshirë halitozën (gjendje kur personi ka erë të keqe të gojës).
Për këtë arsye i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, na këshilloi të përdorim misvakun para çdo namazi, për të pastruar gojën dhe dhëmbët nga mbetjet e ushqimit dhe për të pasur një aromë të freskët të gojës. Përdorimi i misvakut gjithashtu mbron dhëmbët dhe pjesën tjetër të trupit nga infeksione të ndryshme.
Përsëri, duhet të pyesim veten: kush e mësoi Pejgamberin e fundit, Muhammedin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, për dobitë e misvakut para katërmbëdhjetë shekujsh, që ai e rekomandoi atë për ne para çdo namazi? Në atë kohë, askush nuk e dinte se mbetjet e ushqimit ishin të dëmshme për gojën dhe dhëmbët! Po ashtu, askush nuk dinte për strukturën kimike të drurit arak. Kjo u zbulua vetëm në vitet e fundit të shekullit XX!
I vetmi burim i dijes së Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, mund të ishte vetëm Allahu, Krijuesi, I Gjithëdijshmi.