Teleskopi Euclid është gati për të nisur misionin e tij për të kuptuar misteret e mëdha të Universit. Pamjet e jashtëzakonshme nga observatori hapësinor tregon kapacitetet e tij të jashtëzakonshme.
Për gjashtë vitet e ardhshme, Euclid do të vëzhgojë një të tretën e hapësirës kozmike për të mbledhur të dhëna rreth materies dhe energjisë së zezë.
Këto ‘influenca’ të panjohura duket se kontrollojnë formën dhe zgjerimin e gjithçkaje në mjedisin hapësinor. Shkencëtarët pranojnë se nuk dinë asgjë rreth tyre edhe pse ndoshta mund të jenë përgjegjëse për 95% të përmbajtjes së kozmosit.
Materia dhe energjia e errët nuk mund të dallohen menjëherë. Shpresa e vetme për t’i kuptuar disi është ndjekja e sinjaleve të tyre në ato çfarë mund të shohim.
Kjo do të jetë puna e Euclid: vëzhgimi i kontureve, largësive dhe lëvizjeve të miliarda galaksive, dritës së disa prej të cilave i është dashur aq kohë sa ç’është mosha e Universit për të mbërritur te ne.
Diku në statistikat e hartës tredimensionale kozmike, më e madhja e bërë ndonjëherë, shkencëtarët presin të gjejnë përgjigje.
Teleskopi me vlerë 1.4 miliardë Euro u lëshua në hapësirë në Korrik. Prej asaj kohe, inxhinerët kanë punuar për të rritur maksimalisht performancën e tij dhe rezultati janë 5 fotografi të shkrepura nga teleskopi që tregojnë imazhe të ndryshme të hapësirës.