Misioni paqeruajtës i OKB-së në Liban (UNIFIL) njoftoi se një predhë artilerie goditi selinë e tij në sektorin perëndimor të Libanit jugor, por nuk shpërtheu, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, UNIFIL tha se incidenti ndodhi pasditen e së premtes, teksa “një predhë artilerie 155 mm goditi selinë e Sektorit Perëndimor të UNIFIL-it në Shama”.
“Predha nuk shpërtheu dhe ekspertët italianë të asgjësimit të bombave siguruan me shpejtësi zonën, hoqën municionet dhe kryen një shpërthim të kontrolluar”, tha gjithashtu UNIFIL.
Megjithatë, misioni nuk fajësoi asnjë grup për incidentin, por rikujtoi fuqishëm të gjithë aktorët “për detyrimet e tyre për të garantuar sigurinë e personelit dhe pronave të OKB-së”.
Të enjten, UNIFIL tha se një nga autokolonat e tij u sulmua nga persona të armatosur të panjohur gjatë një misioni në Libanin jugor.
Ushtria izraelite ka sulmuar disa lokacione të UNIFIL-it në të gjithë Libanin jugor që kur nisi ofensivën tokësore në fillim të tetorit, duke tërhequr reagime dhe dënime në mbarë botën.
UNIFIL u krijua si forcë e përkohshme në vitin 1978 për të ndihmuar në rivendosjen e paqes në rajon dhe si një konfirmim i tërheqjes së Izraelit nga Libani.
Izraeli nisi një fushatë ajrore në Liban kundër asaj që pretendon se janë objektiva të grupit Hezbollah në fund të shtatorit, një përshkallëzim ky pas përleshjeve ndërkufitare që zgjatën për një vit.
Mbi 3.400 njerëz janë vrarë, rreth 14.600 janë plagosur dhe më shumë se një milion njerëz janë zhvendosur në Liban nga sulmet izraelite që nga tetori i kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.
Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se rajoni i Lindjes së Mesme ishte në prag të një lufte rajonale, Tel Avivi e zgjeroi konfliktin duke nisur një sulm tokësor në Libanin jugor më 1 tetor.