Mish viçi me salcë dhe kërpudha – Receta e shpejtë

Mishi pa dyshim është një nga pjatat e preferuara për çdo shqiptar. Por shpesh sfida që amvisat kanë është përgatitja e këtij ushqimi në mënyra sa më të mira.

Kjo është një pjatë e cila u soll në Ballkan nga Austro-Hungarezët, ndaj versionet e saj në këto vende janë shumë të ngjashme.

Një recetë fantastike, me të cilën mund të shoqëroni më së miri orizin, bollgurin, makaronat apo edhe patatet.

Më poshtë e gjeni të shpjeguar hap pas hapi këtë recetë me shije të mrekullueshme.

Përbërësit

  • 650-700 gr mish viçi, i prerë në kubikë
  • 700ml lëng mishi
  • 1 qepë e verdhë mesatare, e prerë në kubikë
  • 1 thelpi hudhër e grirë
  • 1 lugë gjelle piper i kuq
  • Kripë për shije
  • 2 lugë gjelle gjalpë
  • 170 ml salce domatesh
  • 1 lugë çaji sheqer
  • 350 gr kërpudha të prera në kubikë
  • Një grusht majdanoz i freskët për zbukurim

Përgatitja

Në një tigan ose tenxhere të thellë bashkoni mishin dhe lëngun e mishit. Ziejini në temperaturë mesatare për 15-20 minuta.

Shtoni qepën, hudhrën piperin e kuq dhe kripë për shije. Përziejini mirë dhe vazhdoni gatimin për 20 minuta.

Herë pas here shtoni pak ujë të nxehtë për të mbajtur nivelin e lëngut të barabartë.

Më pas shtoni edhe gjalpin, salcën e domates dhe sheqerin duke i përzier mirë.

Uleni temperaturën në të ulët dhe ziejini masën edhe 20 minuta të tjera, duke e përzier shpesh. Ndërkohë mishi duhet të jetë zbutur.

Në fund, shtoni kërpudhat. Përziejini mirë dhe ziejini edhe 10-15 minuta të tjera, ose derisa kërpudhat të jenë të buta.

Zbukurojeni me majdanoz dhe shërbejeni mbi oriz ose makarona.