“Nëse bëhesh shkak që Allahu të udhëzojë dikë nëpërmjet teje, kjo është më e mirë për ty, sesa të kesh deve të kuqërremta([1])”
Këto janë fjalët, me të cilat i Dërguari i Allahut (a.s) iu drejtua Ali ibn Ebu Talibit (r.a), kur i dha flamurin në betejën e Hajberit. Aliu (r.a) e pyeti: “Për çfarë duhet t’i luftojmë njerëzit? A t’i luftojmë, derisa të jenë si ne?” Ai (a.s) i tha: “Merre shtruar, derisa të zbresësh në fushëbetejën e tyre. Më pas ftoi që të pranojnë Islamin dhe pastaj njoftoi, se çfarë obligimesh kanë (nëse e pranojnë Islamin). Pasha Allahun, nëse ti bëhesh shkak që Allahu të udhëzojë dikë nëpërmjet teje, kjo është më mirë për ty se sa të kesh deve të kuqërremtë”([2]).
Pra udhëzimi i Allahut është udhëzimi i vërtetë dhe pas udhëzimit nuk ka gjë tjetër përveç humbjes.
Kur Allahu i Lartësuar i jep sukses një ftuesi, duke bërë që dikush ta pranojë ftesën e tij, atëherë rezultatet e këtij pranimi (udhëzimi) janë të mëdha. Në vijim po përmendim disa prej tyre:
1 – Ai që është udhëzuar, shpëton nga Zjarri i Xhehenemit dhe ruhet nga flakët e tij. Ky shpëtim i tij nga Zjarri i Xhehenemit, pas mirësisë së Allahut, vjen si rezultat i sakrificës dhe kujdesit të ftuesit. Zëvendësimi i qëndrimit të përjetshëm në Zjarrin e Xhehenemit me qëndrimin e përjetshëm në Xhenet është një çështje që nuk mund të krahasohet me asnjë të mirë materiale, madje asnjë gradë bamirësie dhe bujarie nuk mund të përafrohet me të (qëndrimin përjetësisht në Xhenet). Ftuesi musliman u ofron Xhenetin si dhuratë atyre njerëzve që ka përreth dhe i orienton ata drejt gradave të lumturisë. Prandaj ky ftues e merr shpërblimin nga Allahu i Lartësuar, një shpërblim që i takon madhështisë së Dhuruesit (Allahut), që jepet në varësi të sakrificës.
2 – Çdo lëvizje, çdo tesbih dhe tekbir, çdo sexhde dhe çdo vepër të mirë që i udhëzuari bën, shkak për kryerjen e këtyre veprave dhe për orientimin e tij ka qenë ftuesi. Për këtë arsye, ai (ftuesi) merr të njëjtin shpërblim si i udhëzuari që i vepron këto vepra, sepse Profeti (a.s) ka thënë: “Ai, i cili e orienton tjetrin për të vepruar mirë, merr të njëjtin shpërblim si ai që e vepron”([3]). Profeti (a.s) ka thënë gjithashtu: “Ai që ringjall një traditë të mirë në Islam, do të marrë shpërblim për të, madje do të marrë shpërblimin e kujdo që vepron me të, pa u pakësuar askujt asgjë në shpërblim”([4]).
Kjo portë e shpërblimit nuk mbyllet, por përkundrazi ajo zgjerohet ditë pas dite. Sakrifica e Ebu Bekrit, Bilalit, Amarit, Hatixhes, Esmasë dhe sahabëve të tjerë (Allahu qoftë i kënaqur me ta) është thelbi i afrimit të çdo njeriu tek Allahu i Lartësuar deri në Ditën e Kijametit. Ndërsa sakrifica e Profetit Muhamed (a.s) është pikënisja e çdo sakrifice të mirë që vepron muslimani. Profetit (a.s) i takon mirësia e sakrificës, pas mirësisë së Allahut, sakrificë që është përgjegjësi për çdo musliman.
3 – Nëse ftuesi bëhet shkak, që dikush të udhëzohet, ai (i udhëzuari) bëhet përkrahës i tij (ftuesit) në përcjelljen e mesazhit dhe sakrificën e tij ia bashkangjit sakrificës së ftuesit. Kështu pra, ftesa zgjerohet duke e ushtruar dhe forcohet vetëm nëpërmjet elementëve të rinj mbështetës. Gjendja e muslimanëve të parë ndryshoi, nga praktimi i fesë në fshehtësi në praktikimin e saj publikisht, vetëm atëherë kur Umeri (r.a) dhe Hamzai (r.a) pranuan fenë e Allahut. Po ashtu gjendja e tyre ndryshoi nga një xhemat i vogël në një shoqëri të tërë, vetëm pasi ensarët pranuan fenë e Allahut të Lartësuar.
4 – Udhëzimi është një prej formave të triumfit material, që nuk arrihet në një betejë të përgjakshme dhe as nëpërmjet shpatës e shigjetës, por në këtë formë: “Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) në mënyrën më të mirë”([5]).
5 – O ftues! Ai person, të cilin Allahu e udhëzon nëpërmjet teje, është si tulla që shkëputet nga ndërtesa e injorancës, për t’u vendosur në ndërtesën e Islamit. Kjo ka për të qenë në dëm të rrugës së mosbesimit dhe të humbjes. Kjo është humbje për shejtanin dhe përkrahësit e tij, por nga ana tjetër është fitore për Mëshiruesin dhe pasuesit e Tij. Sa herë që dikush udhëzohet, një shtyllë e mosbesimit rrëzohet. Kështu ishte çështja e injorancës në Meke. Çdo mëngjes ata (jobesimtarët) diskutonin për një çështje të re: ata bisedonin me njëri-tjetrin për personat, të cilët kishin braktisur fenë e të parëve të tyre, ndërkohë që muslimanët gëzoheshin me besimtarët e rinj (ata që pranonin Islamin). Pra, sikur (po shikoj se) ndërtesa e mosbesimit po plasaritet dhe pakësohet çdo ditë, duke iu hapur vrima të njëpasnjëshme.
[1] – Në atë kohë, deveja e kuqërremtë ishte pasuria më e mirë që mund të kishte dikush.
[2] – Transmeton Buhariu Shih “Fet’hul Bari” 6/11.
[3] – Transmeton Muslimi në “Imare” (133), Ebu Daudi në “Edeb” (115) dhe Tirmidhiu në “El-Ilm” (14).
[4] – Transmeton Muslimi në “El-Ilm” (15) dhe në “Ez-Zekat” (66), si dhe Ahmedi (4: 357, 359, 306).
[5] – Sure En Nahl: 125. /ao