Miratohet rindertimi i xhamisë së Kalasë në Prizren

Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, falenderon Asamblenë e Kuvendit Komunal të Prizrenit, e cila, në mbledhjen e 15-dhjetorit 2016, me shumicë absolute të votave miratoi vendimin për mbështetjen e kërkesës së qytetarëve të Prizrenit për rindertimin e Xhamisë së Kalasë, në Kalanë e Prizrenit.

Me këtë rast KBI – Prizren, falenderon në vecanti Kryetarin e komunës së Prizrenit, z.Ramadan Muja, asambleistët dhe qytetarët që me një peticion prej mbi 30 000 nënshkrime, shtyen procesin në drejtimin e duhur. Kjo siq theksohet në deklaratën për opinion është një vetëdije e lartë dhe qytetari që kanë treguar qytetarët e Prizrenit si dhe institucionet përkatëse./MESAZHI/

Më shumë…

Përgatiti: Mr. Sc. Azmir Jusufi

Historiku i xhamisë në Kalanë e Prizrenit

Me rastin e depërtimit të osmanëve në Ballkan, në vitin 1455 forcat osmane hynë edhe në Prizren, gjatë së cilës njësiti ushtarak osman është vendosur edhe në Kala të Prizrenit dhe aty kanë qëndruar gjer në vitin 1912, me rastin e largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani. Krahas objekteve tjera që ndërtuan osmanët pas rindërtimit dhe zgjerimit të Kalasë, kanë ndërtuar edhe një xhami me dimensione të vogla brenda Kalasë për plotësimin e nevojave fetare të tyre, faljen e namazeve. Sipas Faik Miftarit, jurist dhe publicist nga Prizreni, viti i saktë i ndërtimit nuk është i njohur gjer tani, por me siguri xhamia është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XV-të.

Sipas mendimit të Tatjana Katiq, e cila në librin e vetë Osmaniziranje srpskog srednovekovnog grada: Prizren u XV i XVI veku, përmend se Jakub bej Evrenoszade pas vendosjes së ushtrisë osmane në Kala ishte dizdar (komandanti) i parë i formacionit ushtarak osman në Kala. Xhaminë e parë në Prizren, e ndërtoi Jakub bej Evrenoszade në anën e djathtë të Lumbardhit (Bistricës) në qendër të qytetit, nga e cila xhami tani ka mbetur vetëm minarja e cila paraqet një atraksion të veçantë për vizitorët e qytetit të Prizrenit. Në defterin (regjistrin) Muhasebe nr.167, faqe 392 shkruan:” rikabdari Jakub beu ishte dizdar i Kalasë së Prizrenit”. Në dokumentin nr. 368, fq. 463 të Arkivit Osman në Stamboll pran kryeministrisë shkruan:” Vakfi i mesxhidit të merhumit Jakub beu, rikabdar i merhumit sulltan Fatih Mehmedit II-të.

Në bazë të kësaj mund të supozohet se krahas xhamisë së parë brenda qytetit të Prizrenit që e ka ndërtuar, gjatë kohës sa ishte komandant i njësitit osman Jakub bej Evrenoszade ka ndërtuar edhe xhaminë. Në vitin 1689 pas depërtimit të ushtrisë austriake nën komandën e gjeneralit Eneja Silvije Pikolominit , në qytetin e Prizrenit, edhe xhamia në Kala është rrënuar, krahas shumë objekteve tjera të rrënuara të trashëgimisë kulturore islame.

Një burim ekzistues i shkruar, nga i cili mund të kuptojmë se xhamia në Kala ka histori të gjatë të ekzistimit, është mbishkrimi i xhamisë në Kala, i cili ruhet në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit. Mbishkrimi i ruajtur i xhamisë së Mahmut pashë Rrotllës në Kala është me dimensione 67,5×53,5 cm shkruar në pllakën prej mermerit, e cila është në gjendje relativisht të mirë, është shkruar nga poeti i kohës Nuri efendiu. Në këtë mbishkrim të xhamisë së Kalasë përveç tjerash shkruan:” Kjo xhami në të vërtetë është ngritur pas çlirimit të Prizrenit, ndërtesa gjatë kohës është rrënuar, dhe kishte qenë në gjendje të mjerë, valiu i vilajetit, Mahmut pasha xhaminë e ka rindërtuar në vitin 1244 hixhri/1828 gregorian”.

Rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit nga Mahmut pashë Rrotlla e cek edhe myftiu i Prizrenit Mehmet Tahir efendiu në kronikën e tij ”Menakib” të shkruar në gjysmën e dytë të shek. XIX-të, në të cilin cek se: “Mahmut Pasha në shenjë butësie ka ndërtuar në Kala një faltore që zbukuron qytetin tonë”.

Kalaja shërbeu si fortifikatë ushtarake osmane gjer në vitin 1912, kur nga Kalaja tërhiqet ushtari i fundit osman Jashar Hoda, të cilin prizrenasit e quanin Kara Jashari që do të thotë “Jashari i zi”.

Pushteti serb më 1912 kishte filluar të rrënojë xhaminë e Kalasë, në të cilën imam dhe hatib për ditën e xhumasë ishte haxhi Rrystem efendiu.

Sa i përket thashethemeve se xhamia në Kala ishte e ndërtuar mbi themelet e kishës ortodokse serbe janë hedhur poshtë, me rastin e valorizimit dhe prezantimit të Kalasë për zhvillimin e turizmit në Prizren, në vitin 1969 pas kryerjes së kërkimeve arkeologjike nën udhëheqjen e arkeologut prof. dr. Jovan Kovaçeviqit nga Universiteti i Beogradit, gjatë periudhës kohore në kohëzgjatje prej 3 korrikut gjer më 5 shtator 1969.

(Jo)Ndërtimi i Kalasë së Prizrenit

Në kohën e tashme janë duke u kryer punimet në revitalizimin e Kalasë me ç’rast përveç rindërtimit të mureve rrethuese të Kalas, janë rindërtuar edhe objekte tjera të cilët aludonin në ish objektet e dikurshme ekzistuese në Kala, sikurse që ishin ahuret e kuajve, depot e armëve dhe pushkëve, kuzhina për përgatitjen e ushqimit, dhomat për fjetje etj., dhe të cilët sipas projektit të paraparë priten të përfundojnë në fund të vitit 2017, por në këtë projekt nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës nuk parashihet ndërtimi i xhamisë dhe sahat kullës në Kala. Mirëpo, është e qartë se xhamia e Mahmut pashës në Kala ka shërbyer si xhami deri në vitin 1912, është e udhës të rikthehet në këtë gjendje të saj të dikurshme ekzistuese.

Tri objekte më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore që kanë ekzistuar në Kala, e që janë me rëndësi primare edhe në ditën e sotshme, janë xhamia, sahat kulla dhe topi. Këto tri perla së pari do të duhej të rindërtohen dhe funksionalizohen, ashtu që xhamia e rindërtuar do të shërbente edhe si monument kulturor për vizitorët e shumtë në Kala, por në të cilin do të mund të falin edhe ndonjë namaz, besimtarët që do të vizitojnë, e kohë pas kohe në mënyrë simbolike do të mund të falet ndonjë namaz i përbashkët i bajramit apo xhumasë.

Bashkësia islame në Prizren nuk heq dorë nga rindërtimi i xhamisë në Kalanë e Prizrenit

Më datë 6 tetor 2014, përfaqësuesit e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren përmes një letre dërguar në adresë Të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Komunës së Prizrenit dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore kanë kërkuar rindërtimin e xhamisë së “Mahmud Pashës” në Kalanë e Prizrenit.

Më datë 9 tetor 2014, Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit e vizitoi Komisioni Qendror për Monumentet e Trashëgimisë Kulturore Historike të Kosovës, i cili vepron në kuadër të Ministrisë për Rini, Kulturë dhe Sport e Republikës së Kosovës. Vlen të theksohet se Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit disa herë i drejtohej me shkresë organeve kompetente për rindërtimin e xhamisë në Kala. Në fillim të vitit 2010, me një shkresë i është drejtuar edhe Kryesia e Bashkësisë Islame e Republikës së Kosovës. Së fundi, Këshilli i BI-së Prizren, më datë 29.09.2014, i drejtohet Ministrisë së Kulturës për rindërtimin e Kalasë. Komisioni me rastin e shqyrtimit të kësaj kërkese e ka pa të arsyeshme që të mbajë këtë takim, i cili ishte me rëndësi të veçantë, pasi që, po thuajse për herë të parë, kjo çështje po diskutohet pak më seriozisht.

Kohëve të fundit, Mr. Orhan Bislimaj, sekretar i KBI-së në Prizren, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) ka folur rreth historisë së xhamisë së rrënuar të Kalasë. Ai bëri të ditur se Xhamia e Kalasë është një prej xhamive të para në qytetin e Prizrenit dhe në Kosovë, e ndërtuar rreth viteve 1450, kur Perandoria Osmane është vendosur në qytetin e Prizrenit. Ndër tjerash, ai përmendi se kjo xhami rreth viteve 1681-89 ishte shkatërruar nga sundimi i atëhershëm austro-hungarez, mirëpo, ajo në vitin 1826 ishte ndërtuar për herë të dytë nga një mytesarif i Prizrenit, Mahmud pashë Rrotlla, dhe vazhdoi të jetë në funksion deri në vitin 1912, kur Kosova bie nën okupim të pushtetit serb.

Më datë 28. tetor 2016, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, mbajti mbledhje me të gjithë imamët e Komunës së Prizrenit. Rendi i ditës ishte: “Rindërtimi i xhamisë së Kalasë në Kalanë e Prizrenit”. Të gjithë imamët, në mënyrë unanime deklaruan këmbëngulësinë për ri ngritjen e xhamisë së Kalasë, duke thënë se në këtë çështje nuk ka alternativë tjetër. Ata, u zotuan se kjo punë do të kryhet me leje të Zotit, pasi që xhamia ka qenë në Kala dhe është vullnet i xhematit të Prizrenit që ajo të rindërtohet përsëri.

Iniciativa Qytetare për rindërtimit e xhamisë në Kalanë e Prizrenit

Mbështetje kësaj ideje i ka dhënë edhe Iniciativa Qytetare, së cilës i prin Ilir Gashi. “Duke marrë parasysh injorimin e vazhdueshëm të kërkesës së BI-së nga ana e MKRS-së dhe institucioneve tjera relevante për rindërtimin e shkatërruar në Kala, e pamë të arsyeshme ta formojë një Iniciativë qytetare, e cila do të jetë në përkrahje të kërkesës së BI dhe qytetarëve të Prizrenit për rindërtimin e xhamisë në Kala. Në përbërje të Iniciativës Qytetare kemi përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, gazetarë, studentë, afaristë dhe qytetarë të profileve të ndryshme. Qëllimi i kësaj iniciative është arritja e një konsensusi për ndërtimin e xhamisë në Kala. Për këtë qëllim Iniciativa Qytetarët me BI kanë filluar edhe mbledhjen e një peticioni dhe takimet me subjekte politike, shoqërinë civile dhe intelektualë të qytetit”, ndër tjerash thotë Gashi.

Burimet e shfrytëzuara:

1. http://www.gazetaimpakt.com/lajm/14966/pse-duhet-te-rindertohet-xhamia-ne-kala-te-prizrenit/
2. Кatić Tatjana, “Osmanizovanje srpskog srednjovekovnog grada: Prizren u XV i XVI veku“, Istorijski instritut, Beograd, (u štampi). Ose shih burimin e sipër përmendur.
3. Odbrana (Magazin Ministarstva odbrane Srbije), 01. Gusht 2006, Beograd, 2006, f. 72-73.
4. Vırmiça, Raif:’’Prizren Camileri’, Prizren, 1996, f.152. (Ose shih burimin e përmendur në fusnotën 1)
5. Nehat Krasniqi: ”Kronika (Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, f.106.
6. Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë…, Prizren, 2001, f. 270.
7. Resul Rexhepi dhe Sadik Mehmeti, “H. Rrystem ef. Shporta, jeta dhe vepra (1864-1937)”, Monografi, Prishtinë, 2010, f.38.
8. Muhamed Shukriu, op. cit., f. 278-286.
9. http://www.gazetaimpakt.com/lajm/14966/pse-duhet-te-rindertohet-xhamia-ne-kala-te-prizrenit/
10. http://koha.net/?id=4&l=28158
11. http://islamprizren.com/kbi/index.php/2014-08-01-19-06-04/127-rindertimi-i-xhamise-ne-kalane-e-prizrenit
12. http://aa.com.tr/sq/kulturë-dhe-art/kbi-dhe-qytetarët-kërkojnë-rindërtimin-e-xhamisë-në-kalanë-e-prizrenit/673277
13. https://prizrenpost.com/al/bashkesia-islame-ne-gadishmeri-ti-pergjigjet-nevojave-te-popullit-per-rindertimin-e-xhamise-se-kalase-ne-kalane-e-prizrenit/
14. http://www.kosova-sot.info/lajme/149362/kerkohet-ndertimi-i-xhamise-ne-kala-te-prizrenit/