Miratohet raporti për Kosovën në Komisionin e Parlamentit Evropian

Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar sot raportin për Kosovën dhe amendamentet e paraqitura nga deputetët për këtë raport. Drafti i raportit ishte prezantuar nga Viola Von Cramon-Taubadel, që është raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian(PE), ndërsa në këtë raport janë paraqitur mbi 300 amendamente nga deputetë të ndryshëm.

Raporti për Kosovën u miratua me 44 vota për, tetë kundër dhe tri abstenime.

Raporti përmban pikat e përgjithshme ngjashëm me raportet e viteve të shkuara, por ka marrë parasysh edhe zhvillimet që kanë ndodhur ndërkohë. Me këtë raport mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të saj dhe përcaktimin e qartë gjeopolitik.

Ndërkaq, është përshëndetur edhe vendimi i shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, i cili proces u përmbyll të martën, më 25 prill, kur vendimi edhe u botua në Gazetën Zyrtare të BE-së, pasi më herët ishte nënshkruar nga Parlamenti dhe Këshilli i BE-së.

Parlamenti Evropian ka insistuar për shumë vjet që liberalizimi i vizave të bëhet sa më shpejt. Së fundi u arrit pajtimi edhe mes PE-së dhe Këshillit të BE-së për këtë çështje.

Një thirrje që Parlamenti Evropian e përsërit secilin vit në raportet për Kosovën, është përfshirë në tekst edhe kësaj radhe. Kjo është thirrja për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Pikërisht për këtë pikë janë paraqitur shumë amendamente, sidomos nga deputetët nga Spanja dhe vendet tjera që nuk e njohin Kosovën, duke tentuar që referencat për shtetësi të Kosovës të hiqen nga raporti.

Sa i përket situatës në Kosovë, në tekst thuhet se Kosova pa pasur një periudhë të stabilitetit politik pas zgjedhjeve të vitit 2021 dhe u bën ftesë autoriteteve të Kosovës që të ndërmarrë më shumë veprime për t’u përballur me sfidat gjatë rrugëtimit evropian.

Edhe këtu përsëritet se “dinamika e procesit të integrimit do të varet nga progresi që do të arrijë për sundimin e ligjit, të drejtave themelore dhe normalizimin e raporteve me Serbinë”.

Parlamenti Evropian përshëndet përshtatjen e Kosovës me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sidomos dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Gjithashtu, PE-ja mbështet edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin e vendit për t’u përfshirë në programin e Partneritetit për paqe të NATO-s.

Në këtë tekst, po ashtu, përshëndetet përkushtimi për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por shprehet shqetësim për gjendjen e Gjyqësorit në Kosovë që, sipas tekstit, “vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjes së panevojshme politike”.

Keqardhje shprehet për ndikimin negativ që ka pasur atmosfera e polarizimit politik në punën e Kuvendit dhe u bëhet ftesë deputetëve të opozitës që t’i japin fund praktikës së abstenimit.

Sa i përket lirisë së shprehjes në Kosovë në tekst përshëndetet fakti se në Kosovë “ka një mjedis të gjallë pluralist medial”, por shprehet shqetësim për fushata të sulmeve ndaj gazetarëve hulumtues. Në veçanti shqetësim ngrihet për mungesën e lirisë së shprehjes në veri të Kosovës dhe dënohen ashpër sulmet ndaj gazetarëve në komunat veriore.

Në raport bëhet thirrje edhe për një angazhim të sinqertë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për një dialog, i cili do të forconte besimin e ndërsjellë.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e BE-së, përsëritet thirrja që të dyja shtetet të angazhohen në frymën e kompromisit për të arritur “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve, të bazuar në njohjen e ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Po ashtu, bëhet thirrje edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialog, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Nga BE-ja kërkohet që ta bëjë më dinamik procesin e zgjerimit duke e quajtur këtë si politikën më të suksesshme të BE-së për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në Evropë.

Deputetët e Parlamentit Evropian përmes propozimeve për amendamente kanë kërkuar që të forcohet roli i BE-së në rajon./REL