Komisioni për çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit propozoi që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë t’u heq imunitetin gjashtë deputetëve për shkak të pjesëmarrjes së tyre në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvend, raporton Anadolu Agency (AA).
Komisioni me pesë vota “pro”, ndërsa me zero “kundër” dhe “të përmbajtur” votoi në mënyrë individuale për secilin nga deputetët. Në seancë të pranishëm ishin deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa kolegët e tyre nga opozita nuk u paraqitën në sallën ku u zhvillua seanca.
Në bazë të vendimit të Komisionit, Kuvendi i Maqedonisë vendos për kërkesën për paraburgim të deputetëve më së voni në afat prej tre ditëve nga marrja e kërkesës. Për heqjen e imunitetit të deputetit është e nevojshme shumicë e thjeshtë.
Te Komisioni për çështje të Rregullores, Mandatin dhe Imunitetin, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë mbrëmë i dorëzoi kërkesat për aprovimin e paraburgimit për gjashtë deputetët, të parashtruara nga Gjykata Themelore Shkup – Seksioni për krim të organizuar dhe korrupsion prej më 28 nëntor të vitit 2017.
Komisioni për çështje të Rregullores, Mandatin dhe Imunitetin, i cili drejtohet nga kryetari Pavle Bogoevski dhe zv/kryetari Petar Atanasov, është i përbërë prej tetë anëtarëve dhe tetë zv/anëtareve. Deputetët në pushtet kanë shumicë në këtë komision, kështu që vendimi u miratua edhe pa pjesëmarrjen e opozitës, konkretisht të VMRO-DPMNE-së.
Gjashtë deputetët për të cilët u propozua t’u hiqet imuniteti janë deputetë të VMRO-DPMNE-së (Krsto Mukoski, Ljuben Arnaudov, Johan Tarçullovski, Sasho Vasilevski, Ljupço Dimovski dhe Zhaklina Peshevska). Këta deputetë janë në mesin e 36 personave të cilët Prokuroria Publike Themelore i akuzon për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, lidhur me ngjarjet e 27 prillit të këtij vitit në Kuvendin e Maqedonisë.
Gjykata Penale në Shkup gjatë ditës së djeshme, shpalli vendimet në të cilat theksohet se janë shqiptuar 13 masa paraburgimi prej 30 ditëve dhe 6 masa paraburgim shtëpiak për 24 personat e arrestuar një ditë më parë, më 28 nëntor, të cilët Prokuroria Themelore Publike e Republikës së Maqedonisë i ndjek për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit”.
Ndryshe, mbrëmjen e 27 prillit, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të Parlamentit, protestuesit e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” që ishin tubuar para ndërtesës së shtëpisë ligjvënëse u futën me dhunë brenda institucionit. Si pasojë e dhunës së protestuesve që kishin cak deputetët, mbetën të plagosur rreth 100 persona, duke përfshirë deputetë, punonjës të policisë dhe përfaqësues të medias.