Ballina Sport Futboll Miqësoret me Kilin e Suedinë, Sylvinho shpalos objektivat

Miqësoret me Kilin e Suedinë, Sylvinho shpalos objektivat

Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshje miqësore kundër Kilit (22 mars) dhe Suedisë (25 mars). Në prag të grumbullimit që kuqezinjtë nisin të hënën në Tiranë, trajneri Silvinjo doli këtë të shtunë në një konferencë për media. Nga ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, tekniku brazilian u shpreh se nuk i konsideron ‘miqësore’ sfidat ndaj Kilit dhe Suedisë, ndërsa komentoi edhe listën e 26 lojtarëve të grumbulluar. Trajneri Silvinjo foli për rikthimin e Armando Brojës dhe Rei Manajt, mungesën e Ardian Ismajlit dhe Arlind Ajetit, risinë në këtë grumbullim “Arbër Hoxha”, ‘problemet’ me portën, ndryshimin e skemës si edhe rinovimin. Ndër të tjera, drejtuesi i Kombëtares kuqezi u shpreh se këto dy miqësore do t’i shërbejnë stafit për të provuar sa më shumë elementë dhe për të rritur nivelin e lojës.

Mungesa e Dakut & Mujës dhe risia “Arbër Hoxha”

Sa i përket zgjedhjeve në sulm, është e vërtetë që ka shumë ‘dhimbje koke’, por që është shumë normale dhe që është e pranueshme për mua. Këtë herë nuk do të jenë me ne Daku, Muja dhe Gjasula. Janë lojtarë shumë të rëndësishëm, të cilët i kemi në konsideratë dhe janë në planet tona. Por ne duhet të provojmë sa më shumë lojtarë në këtë moment. Dakun, Mujën dhe Gjasulën i vlerësojmë, por ne nuk mund të marrim dot 30 lojtarë me vete në këto dy ndeshje, pasi duhet t’i japim mundësinë edhe lojtarëve të tjerë, t’i vëzhgojmë nga afër se çfarë kanë mundësi të bëjnë. Kemi Manaj, i cili vjen për herë të parë me mua në Kombëtare, Brojën, i cili vjen për herë të dytë me mua në Kombëtare. Herën e parë nuk kemi pasur mundësi ta provojmë sepse ai u detyrua të largohej i dëmtuar. Kemi marrë dhe Arbër Hoxhën, i cili është një lojtar shumë interesant. Kemi tre muaj që e vëzhgojmë nga afër, është një lojtar që luan në krahun e majtë, por këmbën e preferuar ka të djathtën. Kur të vijë këtu, do ta shohim nëse ai mund të luajë edhe në pozicione të tjera. Do t’i vëzhgojmë të gjithë.

Pak mesfushorë në këtë grumbullim, a mjaftojnë? Objektivi i skuadrës në këto dy miqësore?

Jam i kënaqur me ekuilibrin e skuadrës, qoftë në fazën ofensive, por edhe në atë difensive. Shqipëria ka mbyllur kualifikueset duke pasur një nga mbrojtjet më të mira të turneut. Mbrojtja nuk është thjesht reparti mbrojtës, por është e gjithë skuadra dhe jam i lumtur për ekuilibrin që kanë pasur lojtarët, sepse edhe mesfusha ka mbrojtur, edhe sulmi ka ndihmuar dhe sakrifikuar shumë për të mbrojtur. Dua të specifikoj diçka, kur themi vëzhgojmë lojtarët, ata nuk vëzhgohen vetëm në ndeshje, por në çdo moment, në çdo detaj në stërvitje, te kuadratet, te goditjet standarde. Pra është një proces që fillon që në momentin që lojtari vjen në grumbullim dhe në vazhdimësi. Nuk mund ta vëzhgoj një lojtar vetëm gjatë një ndeshje. Nuk i shohim ndeshjet si miqësore, nuk dua ta përdor si term. Për mua janë të gjitha ndeshje të rëndësishme. Kemi dy kundërshtarë shumë të fortë përballë, luajmë ndaj Kilit, një skuadër shumë e njohur, me lojtarë shumë të fortë. Ka një trajneri si Gareca që e njoh shumë mirë dhe janë mjaft teknikë. Kanë lojtarë si Sanchez, Diaz, Vargas apo Perez, i cili është një lojtar shumë interesant. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Suedinë, një skuadër shumë e fortë sidomos në aspektin individual. Kanë lojtarë të talentuar që luajnë me skuadra si M. United, Atalanta, Tottenham, Ëolfsburg. Janë një skuadër me elementë shumë të mirë. Ne duhet të provojmë ekipin tonë në këto dy ndeshje. Vështirësia sa vjen e rritet dhe ne duhet të bëjmë hapin përpara që të përshtatemi me nivelin sa më të lartë që na ofrojnë sfidat e ardhshme.

A do të vendosin këto sfida miqësore listën finale të futbollistëve për Europian?

Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për fazën finale të Europianit, por jo vendimtare. Nuk duhet të harrojmë që ka një rrugëtim të çdo lojtari për të ardhur deri këtu. Të gjitha skuadrat kanë marrë nga 25-26 lojtarë dhe ndoshta dhe më shumë dhe ky është momenti që ne të provojmë sa më shumë elementë.

Sa e vështirë është për trajnerin të lërë jashtë lojtarë që kanë ndikuar në kualifikimin e Shqipërisë në Europian?

Sa i përket zgjedhjeve që stafi teknik duhet të bëjë për Europianin, është një situatë delikate, por preferojmë që këto ‘vuajtje’ t’i lëmë për në maj. Tani nuk e kemi mendjen te lista finale e muajit qershor. Ka një rrugëtim për çdo lojtar për të ardhur deri këtu, ndërkohë që ne kemi përpara dy ndeshje shumë të rëndësishme, ku duhet të vlerësojmë çdo futbollist dhe mënyrë lojë. Pas këtyre dy sfidave, në muajin prill e në vazhdim ne do të ulemi me stafin dhe do na duhet më vonë të marrim vendime. Për momentin nuk jam i fokusuar te lista e Europianit, por te puna dhe te dy ndeshjet me Kilin dhe Suedinë. Jam i pari që do zbres në fushë që nesër. Është shumë e rëndësishme që të ngremë nivelin tonë të lojës në çdo aspekt dhe të jemi të përgatitur sa më mirë.

Efekti që mund të sjellin lojtarët e rinj apo të rikthyer në Kombëtare

Raporti që kanë lojtarët në dhomat e zhveshjes është shumë i mirë dhe as që jam i shqetësuar për këtë aspekt. Nuk kam frikë për efektin që mund të kenë rikthimet apo hyrjet e reja në Kombëtare. Ata e dinë mirë që në Kombëtare çdokush e ka derën e hapur. Nuk është si klubi, që ka 24-25 lojtarë dhe duhet të vazhdojë përpara me këtë grup, derisa hapet merkato. Kemi rastin e Hoxhës psh., që është një lojtar që ne e kemi ndjekur prej tre muajve dhe ashtu sikurse Hoxhën, kemi edhe lojtarë të tjerë që i vëzhgojmë rregullisht dhe më pas marrim vendimet tona. Kombëtarja i ka dyert e hapura për të gjithë dhe të gjithë janë të ndërgjegjshëm për këtë.

Në rast humbje në sfidat miqësore, a rritet presioni?

Në futboll ka tre rezultate fitore, barazim dhe humbje. Ne nuk shkojmë kurrë për të marrë barazim, por për të fituar. Më kujtohet ndeshja me Moldavinë, kur të gjithë thonin ti do të shkosh atje dhe ne na duhet vetëm një pikë. Nuk funksionon kështu, objektivi jonë në një ndeshje është vetëm fitorja. Sa i përket mungesave dua ta theksoj, Ajeti dhe Ismajli nuk janë me ne sepse janë të dëmtuar. Ne kemi folur me lojtarët dhe nuk mund të rrezikojmë sepse ato kanë probleme fizike, ndërkohë ne do të kemi Kumbullën, Veselin, Mersinajn në pjesën mbrojtëse dhe janë lojtarë që do t’i vëzhgojmë të gjithë nga afër. Por nuk mendoj asgjë tjetër, vetëm të futemi në këto ndeshje për t’i fituar të dyja.

Duke qenë se keni marrë shumë sulmues, a do të provoni të ndryshoni modul?

Sa i përket provave apo ndryshimeve që mund të bëjë stafi teknik në këto dy ndeshje është momenti që të provojmë, por Kombëtarja nuk është se ka shumë kohë. Sigurisht në stërvitje ne do të provojmë shumë lojtarë dhe do të shohim ndonjë ndryshim eventual se ku lotjarët ndihen më mirë. Megjithatë nuk mendoj tani për ndonjë ndryshim moduli.

Rinovimi, keni folur me Presidentin Duka?

Kemi një raport shumë të mirë me Presidentin Duka, me Federatën dhe drejtuesit, po punojmë shumë për t’u përgatitur sa më mirë në finalet e Europiant. Do të kemi kundërshtarë shumë të vështirë në grup. Nuk jam aspak i shqetësuar për çështjen e kontratës dhe në momentin e duhur do të ulemi të flasim.

Disa lojtarë nuk kanë patur shumë minuta me klubet e tyre?

Është një fakt që ka lojtarë që nuk aktivizohen rregullisht me klubet e tyre dhe është një problem. Do të doja që të gjithë të aktivizoheshin dhe të kishin sa më shumë minuta. Unë flas rregullisht me to, por nëse një lojtar më pyet diçka për ndryshim i dëgjoj, por nuk jam në gjendje t’i them të ndryshojë apo jo. Shpresoj shumë që të gjithë të kenë minuta në këmbë. Kur lojtarët kanë minuta me klubet e tyre janë më në formë. Nuk mund të them që nuk jam i shqëtesuar, por shpresoj që në vazhdimësi situata të ndryshojë.

Kush lojtar mund të surprizojë në sfidat miqësore?

Sigurisht që kam pritshmëritë e mia për lojtarët, qoftë edhe për futbollistë të caktuar, që të bëjnë mirë në këto dy ndeshje. Kjo është puna jonë dhe e stafit, punojmë edhe me lojtarë që mund të jenë shumë të njohur dhe që luajnë në klube të mëdha, por kemi edhe lojtarë që luajnë në klube të vogla, por që mund të bëjnë shumë mirë dhe të shpërthejnë siç ndodhi me Jasir Asanin. Shpresoj që në këto dy ndeshje të kemi vërtetë surprizat të mira. Çdo lojtarë duhet të mendoj për të punuar, për të fituar vendin e vet në fushën e lojës, por mund të ketë edhe ndonjë lojtarë që unë mendoj se do na befasojë. Por ai që unë mendoj është akoma i vogël dhe duhet të presim edhe disa vite.

Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha nuk kanë luajtur me klubet e tyre?

Nuk është situatë e bukur, sigurisht që jam i shqetësuar. Nevojitet një menaxhim sa më i mirë i grupit. Ne edhe gjatë kualifikueseve kishim lojtarë që luanin dhe nuk luanin me klubet. Pra nuk është një situatë e re për ne, por i kemi menaxhuar pavarësisht nëse kanë qenë në formë apo jo, kjo është puna e stafit teknik. Sa i përket portës ne kemi Berishën, Strakoshën, Kastratin dhe i njohim shumë mirë. Sa herë që kanë patur mundësinë për të luajtur me Kombëtaren si Berisha apo Strakosha ju e dini që kanë bërë paraqitje pozitive, pavarësisht nëse kanë luajtur me klubet e tyre apo jo. Ndërkohë edhe Kastratin kisha shumë dëshirë ta shihja në miqësoren me Bullgarinë, por ai u sëmurë, ishte me temperaturë pak orë para ndeshjes dhe më erdhi shumë keq, sepse doja ta shihja në fushën e lojës. Patjetër jam i shqetësuar, por kjo gjë nuk do të thotë se do të ndikojë shumë në vendimin përfundimtar. Duhet të përmirësohemi në çdo detaj. Lojtarët që mund të mos kenë luajtur shumë në klubet e tyre, ne duhet të jemi të përgatitur që kur të vijnë në grumbullim me Kombëtaren t’ja bëjmë sa më të thjeshtë, që të jenë sa më të përgatitur kur të zbresin në fushë.

Reagimi i Dakut në rrjetet sociale, a keni folur me të?

Unë nuk e kam zakon që të flas me lojtarët pas publikimit të listës, pra të flas me lojtarët që mund të kenë mbetur jashtë. Ne kemi 26 lojtarë për këto dy ndeshje dhe sigurisht që do të punojmë me këto 26 lojtarë. Duhet të keni parasysh që Dakun e kam sjellë i pari në Kombëtare, kam qenë unë ai që e kam ftuar dhe faktikisht ka bërë paraqitje shumë të mira. Është një lojtar të cilin e vlerësoj shumë. E njëjta gjë edhe për Gjasulën, apo për Mujën, të cilin gjithashtu e kam sjellë unë. Fakti që nuk janë në këto dy ndeshje nuk do të thotë që janë jashtë planeve tona. Patjetër që i kemi në konsideratë, pasi janë futbollistë që janë paraqitur mirë sa herë kanë pasur shansin të luajnë në fushën e lojës. Ne nuk mund të merrnim 40 lojtarë për këto dy ndeshje miqësore. Kaq ishin hapësirat, duhet të vëzhgojmë edhe lojtarë të tjerë. E kuptoj, ka futbollistë që mërziten kur nuk ftohen në Kombëtare, por kjo është gjë që ndodh dhe ne duhet të shohim përpara sepse në muajin maj do të ulemi dhe do të diskutojmë për zgjedhjet përfundimtare për Europianin. Kanë gjithë kohën e mundshme për të punuar dhe për t’u përmirësuar.

Çfarë do të thotë fakti që keni marrë pasaportën shqiptare dhe do jeni në Evropian?

Sa i takon Evropianit, është diçka spektakolare. Ne punojmë çdo ditë për t’u përmirësuar, për të marrë pjesë në një event aq të bukur dhe të rëndësishëm, siç janë finalet e “Euro 2024”. Sa i përket nënshtetësisë shqiptare, unë dhe stafi kemi vlerësuar shumë afeksionin apo dashurinë që shqiptarët kanë treguar ndaj nesh. Nëse flasim me lojtarët, të gjithë mund të kenë ndjesi të ndryshme, luajnë për familjen, luajnë për njerëzit e tyre etj etj. Unë duhet të them që ne luajmë për popullin, për popullin shqiptar në rastin konkret. Kam punuar me Brazilin, me kombëtaren, për disa kohë. E di shumë mirë se çfarë do të thotë të luash apo të punosh me një skuadër kombëtare. Është diçka fantastike, një tjetër atmosferë. Ne luajmë për njerëzit dhe njëkohësisht e vlerësojmë shumë faktin që kemi marrë këtë vlerësim apo që kemi këtë konsideratë kaq të madhe nga populli shqiptar.

Exit mobile version