Në takimin konsultativ të ftuar nga Presidenti Thaçi, për themelimin e Komisionit për të vërtetën dhe për pajtim, Ministrja Hoxha mbajti fjalë rasti, duke filluar me një citat që thotë se “nëse synohet të arrihet njëmend pajtimi, fillimisht duhet të rrëfehet e vërteta”, dhe me këtë rast i dha përkrahje të plotë iniciativës së Presidentit.
“Iniciativa e ndërmarrë nga Presidenti i Shtetit për të themeluar komisionin për pajtimin dhe të vërtetën e shoh si vitale për zbatimin e obligimeve kushtetuese. Duke zbardhur të vërtetën dhe pajtimin për atë që ka ndodhur ne nderojmë viktimat dhe ruajmë përjetësinë e tyre. Por, po ashtu, nga ky pajtim ne ndërtojmë të tashmen dhe të ardhmen”, theksoi Ministrja Hoxha.
Parimet e drejtësisë nuk bazohen mbi standarde etnike, por ato derivojnë nga premisat normative, në epiqendër të të cilave qëndron njeriu si qenie, potencoi Ministrja Hoxha, prandaj dënimi i çdokujt që e ka cenuar këtë parim universal duhet jetë qëllim fundamental i mekanizmave juridikë në një rend juridik.
Fati i të pagjeturve mbetet ende një barrë e rëndë për shoqërinë tonë, theksoi Ministrja Hoxha, po ashtu edhe kompensimi i viktimave vazhdon të mbetet ende një problem madhor, me gjithë masat që kemi ndërmarrë për tejkalimin e këtij problemi. Ndërkaq, ndëshkimi ligjor i fajtorëve për krimet e ushtruara mbi popullatën civile mbetet ende dëshpërues, duke marrë parasysh faktin se edhe 17 vjet pas lufte, deri më tani janë dënuar shumë pak persona për këtë tragjedi, të dhëna këto që tregojnë për një dobësi serioze sa i përket zbatimit të drejtësisë për atë që ka ndodhur.
“Procesin e pajtimit dhe dialogut ndërmjet komuniteteve si një kusht për një paqe të qëndrueshme, institucionet tona politike e kanë mishëruar në normë kushtetuese”, theksoi Ministrja Hoxha.
Në kapitullin mbi “Përgjegjësitë e Shtetit”, Kushtetuta e obligon Republikën e Kosovës që të promovojë frymën e tolerancës, dialogut, dhe ta mbështesë pajtimin ndërmjet komuniteteve si interes bazik shtetëror, theksoi Ministrja Hoxha.
“Në këtë mënyrë i kemi dhënë vetes dhe botës një premtim bazik për përkushtimin tonë politik dhe moral për të filluar një kapitull të ri në shtetin tonë, po ashtu të ri. Kështu në vend të hakmarrjes institucionale, ne kemi zgjedhur rrugën e pajtimit. Kurse këtë diversitet nacional dhe kulturor që e posedojmë, jemi zotuar se do ta trajtojmë si pasuri dhe jo dobësi. Ndërkaq, unitetin qytetar dhe politik do ta formësojmë duke kultivuar këtë trashëgimi kulturore të komuniteteve”, theksoi Ministrja Hoxha duke shtuar se pajtimi kërkon punë të përbashkët, sepse ashtu mbrohet demokracia dhe humaniteti në rend të parë, në saje të filozofisë së pajtimit mbrohet edhe Kushtetuta.