Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka bërë kërkesë zyrtare për të realizuar të shtunën, me 21 nëntor, një vizitë në vendet e varrezave masive ku ditëve të fundit u gjetën trupat e shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, e që së shpejti pritet të nisë procesi i zhvarrosjes së tyre.
Ajo ka shprehur vendosmërinë e saj për të qenë afër familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre në mënyrën më ç’njerëzore nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, duke lartësuar sakrificën dhe dhimbjen e tyre duke kërkuar përgjegjësinë dhe drejtësinë, 21 vjet pas!
Shefja e diplomacisë kosovare pret që ta realizojë këtë vizitë dhe përmes saj ta sheh nga afër procesin e gërmimeve dhe ta sensibilizojë ndërkombëtarisht të vërtetën kriminale për fshehjen e qëllimshme që është bërë dhe po bëhet nga Serbia të varrezave masive të shqiptarëve nëpër Serbi.