Ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly, reagoi ndaj pretendimeve për nënshkrimin e një marrëveshjeje mes Malit dhe kompanisë ruse të sigurisë Wagner dhe tha se Franca nuk do të largohet nga Mali, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve në shtypin francez, Parly zhvilloi një vizitë në Mali pas pretendimeve se në këtë vend do të dërgohen 1.000 mercenarë rusë.
Në deklaratën e saj për media para takimit me homologun e saj në Mali, kolonelin Sadio Camara, ministrja franceze Parly theksoi se këtë vizitë e ka zhvilluar me qëllim për të qartësuar qëndrimin e zyrtarëve të Malit lidhur me Wagner.
Parly tha se Franca do të vazhdojë përpjekjet e saj në Mali dhe në Sahel edhe sikur të pakësohet numri në operacionin Barkhane.
“Franca nuk largohet (nga Mali). Do të vazhdojë të mbështesë forcat e sigurisë në Sahel”, deklaroi Parly.
Pretendimi se në Mali do të dërgohen 1.000 ushtarë mercenarë rusë
Në mediat amerikane është pretenduar se Grupi rus Wagner dhe qeveria e tranzicionit kryesisht ushtarak të formuar pas grushtit të shtetit në Mail, ndodhen pranë marrëveshjes e cila parashikon trajnimin e ushtrisë së Malit dhe mbrojtjen e zyrtarëve të nivelit të lartë.
Po ashtu është pretenduar se në Mali mund të transferohen rreth 1.000 mercenarë dhe se do të kryhet një pagesë prej 10.8 milionë dollarë në muaj.
“Nëse zyrtarët e Malit nënshkruajnë një marrëveshje të tillë me grupin Wagner, kjo situatë krahas shqetësimit e bën të pakuptimtë çdo gjë që ne kemi bërë prej vitesh dhe kemi planifikuar të bëjmë për të mbështetur vendet e Sahel-it”, theksoi ministrja Parly rreth këtyre pretendimeve.
Kryeministri i Malit, Choguel Kokalla Maiga, duke mos mohuar pretendimet është shprehur se “Çfarë do të bëjmë kur partnerët tanë të marrin vendim për t’u tërhequr nga disa vende dhe kur ata të tërhiqen nesër? Mos të kemi plan B?”. /aa