Ministrja e Jashtme Suedeze konfirmon bisedimet e NATO-s me Turqinë të premten

Ann Linde

Të dërguarit nga Finlanda, Suedia dhe Turqia do të takohen të premten për te diskutuar zgjerimin e NATO-s, konfirmoi të mërkuren ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde duke shtuar se diskutimet synojnë t’i hapin rrugën dy vendeve nordike për t’u bashkuar me aleancën.

“Çështja është sesi të ndjekim marrëveshjen që Turqia, Suedia dhe Finlanda arriti gjatë samitit të NATO-s në Madrid, e cila ishte një parakusht që Turqia të pajtohej me kërkesat e Suedisë dhe Finlandës”, tha Linde për SVT.

Anëtarët e rinj duhet të miratohen unanimisht, por Turqia ka bllokuar pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO dhe ka vendosur disa kushte për zgjerimin e aleancës së mbrojtjes.

Dy anëtarët e ardhshëm nordikë janë zotuar të mbështesin Turqinë kundër kërcënimeve të sigurisë kombëtare.

Në mënyrë të veçantë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i akuzoi të dy vendet se kanë strehuar anëtarë të milicisë kurde të YPG-së siriane, si dhe anëtarë të lëvizjes Guleniste.

Ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto tha se takimet mes përfaqësuesve të tre vendeve do të zhvillohen në mënyrë alternative në Finlandë, Suedi dhe Turqi në të ardhmen.