Ministrja austriake e Integrimit Susanne Raab të martën mbrojti “hartën e diskutueshme të Islamit” midis kritikave në rritje brenda komunitetit musliman në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Kjo nuk ka të bëjë aspak me dyshimin e përgjithshëm ndaj muslimanëve. Kjo ka të bëjë me luftën e përbashkët kundër Islamit politik si një terren për ekstremizmin” i tha Raab gazetës gjermane “WELT”.
Raab javën e kaluar hapi një faqe në internet të quajtur “Harta Kombëtare e Islamit” me emrat dhe vendndodhjet e më shumë se 620 xhamive, shoqatave dhe zyrtarëve.
Shumë muslimanë ndihen të stigmatizuar, ndërsa siguria e tyre është kërcënuar nga publikimi i adresave dhe detajeve të tjera mes rritjes së islamofobisë në Austri, veçanërisht pas sulmit të tmerrshëm vdekjeprurës në Vjenë nëntorin e kaluar.
Bashkësia Fetare Islame në Austri (IGGOE), e cili përfaqëson interesat e afërsisht 800.000 muslimanëve në vend, paralajmëroi kundër stigmatizimit të të gjithë muslimanëve që jetojnë në atë vend “si një rrezik i mundshëm për shoqërinë dhe rendin ligjor demokratik në vend”.
Kjo fushatë është nxitëse për racizmin dhe “i ekspozon qytetarët muslimanë ndaj një rreziku masiv të sigurisë”, shtoi IGGOE.
Rinia Muslimane e Austrisë (MJOE) njoftoi gjatë fundjavës se do të ngrenë padi kundër hartës.
Duke reaguar ndaj deklaratave të Raab, gazeta me qendër në Vjenë “DER STANDARD” paralajmëroi në një artikull të botuar se kjo hartë “jo vetëm që do të ushqejë qëndrimet islamofobe”, por mund të “lehtësojë madje edhe aktet islamofobe të dhunës”.
Ndërkohë, Këshilli i Evropës të hënën i bëri thirrje Austrisë të tërheqë hartën.
Publikimi i hartës është armiqësor ndaj muslimanëve dhe potencialisht kundërproduktiv, thuhet në deklaratën e organizatës udhëheqëse të të drejtave të njeriut në Evropë.
Më tej shtohet se harta u shërben “pakenaqësive ekzistuese” dhe shumë muslimanë e ndiejnë atë si “jashtëzakonisht diskriminuese”.
Deklarata përsëriti se muslimanët “ndihen të stigmatizuar dhe të kërcënuar për sigurinë e tyre nga publikimi i adresave dhe detajeve të tjera”.
Ministrja austriake i Integrimit gjithashtu hodhi poshtë kritikat se harta do të vinte në rrezik përfaqësuesit e fesë islame.
“Nëse tani thoni se jeni duke themeluar një shoqatë islamike, por nuk doni ta dijë askush, aq më pak se çfarë po bëni dhe kush jeni, atëherë kjo tregon saktësisht problemin: domethënë, çka preferoni të predikoni privatisht prapa perdeve”, ka deklaruar ajo.
Harta është gjithashtu në interes të muslimanëve që nuk duan të kenë asgjë me rrymat ekstremiste, tha Raab.
“Ju gjithashtu duhet të dini në cilën xhami po shkoni dhe cilat struktura dhe ideologji qëndrojnë pas saj”, shtoi ajo.
Muslimanët e Austrisë janë thellësisht të shqetësuar për përpjekjet e vazhdueshme të kancelarit Sebastian Kurz duke instrumentalizuar islamin politik për agjendën e tij të ekstremit të djathtë. /aa