Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Türkiyes njoftoi se detyrat e ushtarëve turq në Siri nuk kanë përfunduar dhe vazhdojnë ende, duke iu referuar operacioneve turke kundër terrorizmit në rajonet kufitare, transmeton Anadolu.
“Në varësi të nevojës, mund të merret në konsideratë ridislokimi i trupave tona në Siri, ose caktimi i tyre në rajone të ndryshme”, tha ministria në X.
Në veri të Sirisë, Türkiye ka kryer disa operacione të suksesshme antiterroriste që nga viti 2016, duke përfshirë Mburojën e Eufratit (2016), Degën e Ullirit (2018) dhe Burimin e Paqes (2019), për të parandaluar krijimin e një korridori terrorist dhe për të siguruar rikthimin paqësor të banorëve vendas.
Zyrtarët turq kanë theksuar se nuk do të lejojnë grupet terroriste të shfrytëzojnë ndonjë boshllëk pushteti në Sirinë pas rënies së Bashar Asadit, por duhet të dorëzojnë armët dhe të shpërbëhen.
Për më tepër, zëdhënësi i ministrisë, Zeki Aktürk, u tha gazetarëve gjatë një konferencë javore në kryeqytetin Ankara: “Me operacione të pandërprera dhe të suksesshme të kryera kundër kërcënimeve dhe rreziqeve, veçanërisht grupeve terroriste PKK/PYD/YPG/SDF dhe DEASH, 69 terroristët janë neutralizuar javën e kaluar dhe gjithsej 221 terroristë janë neutralizuar që nga 1 janari, duke përfshirë 64 në Irakun verior dhe 157 në veri të Sirisë.
“Duke vazhduar çmontimin e strehimoreve terroriste, Forcat e Armatosura Turke kapën një sasi të madhe armësh, municionesh dhe furnizimesh në shpellat që u përkisnin terroristëve në zonën në Irakun verior”, tha ai.
Aktürk theksoi se “lufta e Forcave të Armatosura Turke kundër terrorizmit do të vazhdojë me vendosmëri derisa të mos mbetet asnjë terrorist i vetëm”.
Duke folur për masat e kontrollit kufitar, ai tha që nga fillimi i muajit janë ndaluar 5.130 persona në tentativë për të kaluar ilegalisht kufirin turk.
Terroristët e PKK-së shpesh fshihen në Irakun verior për të komplotuar sulme ndërkufitare në Türkiye.
Türkiye në vitin 2022 nisi operacionin “Kthetra-Kyçi” për të shënjestruar strehët e grupit terrorist në rajonet Metina, Zap dhe Avasin-Basyan të Irakut verior.
PKK, e cila ka zhvilluar një fushatë terroriste 40-vjeçare kundër Türkiyes, është klasifikuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja. YPG – e cila ndonjëherë përdor emrat PYD ose SDF – është dega siriane e PKK-së.
Në vitet e fundit, duke përfshirë edhe periudhën që nga rënia e regjimit të Asadit muajin e kaluar, PKK/YPG është përpjekur të shfrytëzojë paqëndrueshmërinë rajonale për të krijuar një “korridor terrorist” përgjatë kufirit me Türkiyen.