Ministria e Shëndetësisë në Gaza: “Gaza po merr frymën e saj të fundit”

Dr Munir Al-Bursh

Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Dr. Munir Al-Bursh, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër, duke deklaruar se Rripi i Gazës “po merr frymën e saj të fundit”, për shkak të sulmeve në rritje të forcave izraelite dhe përdorimit të armëve të reja dhe të panjohura, që shkaktojnë djegie të rënda dhe dëmtime të tmerrshme fizike.

Sipas Qendrës së Informacionit Palestinez, Al-Bursh raportoi se sistemi shëndetësor ndodhet në kolaps të plotë, me mungesa kritike të dezinfektuesve bazë, ilaçeve dhe antibiotikëve efektivë. “Thjesht nuk kemi mundësi të trajtojmë plagët për shkak të mungesës së furnizimeve thelbësore mjekësore,” u shpreh ai.

Ai dënoi masakrat e përsëritura izraelite ndaj civilëve të zhvendosur në strehimore, duke kritikuar komunitetin ndërkombëtar për dështimin në frenimin e agresionit izraelit. “Gaza po mbytet nën bombardimet e pandërprera ajrore dhe me artileri,” theksoi ai.

Al-Bursh kritikoi gjithashtu ndërprerjen e mbështetjes ndërkombëtare institucionale, duke përmendur braktisjen nga UNICEF të mbi 15,000 fëmijëve të vrarë në Gaza dhe mosndihmën ndaj mbi 50,000 grave shtatzëna, çka ka sjellë një rënie të ndjeshme të lindjeve në territorin e rrethuar.

Ai akuzoi gjithashtu Izraelin për përdorimin e urisë si mjet lufte, duke theksuar se për më shumë se 34 ditë, nuk janë lejuar të hyjnë në Gaza ushqime, furnizime mjekësore, dezinfektues apo misione humanitare ndërkombëtare.

Spitalet janë përtej kapacitetit, plotësisht të paafta për të përballuar numrin e madh të të plagosurve. Situata është përkeqësuar nga humbja e rreth 400 punonjësve shëndetësorë, përfshirë 200 me specializime të rralla e jetike, të cilët janë vrarë, ndaluar ose detyruar të largohen nga Gaza.

Ndërkohë, Dr. Fadel Naeem, drejtor i Spitalit Baptist në Gaza, e përshkroi situatën si katastrofike dhe plotësisht jashtë kontrollit, duke theksuar se mungesa e karburantit ka bllokuar funksionimin e spitaleve. Ai zbuloi gjithashtu se në gjithë pjesën veriore të Gazës ekziston vetëm një skaner CT funksional, ndërkohë që kërkohen dhjetëra të tillë. /mesazhi