Ministria e Mbrojtjes i ka reaguar anëtarit të kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, i cili ka thënë se FSK-së i ka humbur njëri dron i blerë nga Turiqa.
Kjo ministri në një përgjigje për Tëvë 1 ka thënë asnjëherë nuk është raportuar nga FSK-ja dhe as nga strukturat të Ministrisë së Mbrojtjes për ndonjë incident që ndërlidhet me pretendimet për humbje te ndonjë droni.
“Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në baza të rregullta pranon raporte rreth zhvillimeve në FSK nga Komandanti dhe strukturat e FSK-së. Asnjëherë nuk është raportuar nga FSK dhe as nga strukturat të Ministrisë së Mbrojtjes për ndonjë incident që ndërlidhet me pretendimet për humbje te ndonjë droni. Ne kemi besim të plotë dhe të palëkundur në profesionalizmin dhe aftësinë e strukturës së FSK-së për mbikëqyrje dhe menaxhim të aseteve të saj”, thuhet në përgjigje për televizionin.
Ndryshe, Haradinaj të enjten në emisionin “Ditari” në Tëvë 1 ka insistuar se FSK-së i ka humbur njëri dron i blerë nga Turiqa.
Haradinaj ka thënë se e ka kursyer ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin për shumë tema për shkak të respektit për ushtrinë.
“Shumicën e ministrisë e udhëheq njeri që s’ka rol në ekzekutiv, është nga një subjekt politik e që merr vendime në Ministrin e Mbrojtjes dhe qe ai njeri deri diku është i dyshimtë, e keni pa në prokurori që po shkon po intervistohet. Nuk po e përmendi me emër, por ai e di shumë mirë që unë nuk flas kot. Por për shkak që është temë senzitive unë e kam kursyer, se ja kisha tregu edhe numrin serik të dronit që i ka humb. Ka shumë sene që ministri e di që ne pe kursejmë. Ai ministër nuk duhet me dal shumë me fol, por mi kry detyrat edhe mos mi lënë tjerët me ju bë ministër, se unë qe çmoj personalisht. Ja 10 janë ministra, veç ky nuk është ministër, ky veç rrogën e merr si ministër, kurrë një sen tjetër nuk është, as se vet kush sen, as në qeveri e as ministri. Me vjen keq, por ai e di qe është kështu”, ka thënë Haradinaj.