Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Türkiyes, Zeki Aktürk, u shpreh se Ankaraja zyrtare do të vazhdojë të marrë masa vendimtare kundër organizatave terroriste që kërcënojnë integritetin territorial të Sirisë dhe stabilitetin rajonal, raporton Anadolu.
Aktürk ripohoi përkushtimin e vendit për t’iu kundërvënë grupeve si PKK/PYD/YPG/SDG dhe DEASH-it, duke thënë se “asnjë formacion terrorist apo veprime të kryera të njëanshme nuk do të lejohen në rajon”.
“Ne do të vazhdojmë të marrim masa parandaluese dhe vendimtare kundër të gjitha grupeve terroriste”, tha Aktürk në konferencën javore për media në Ankara.
Ai u shpreh se do të mbajnë bashkëpunim të ngushtë me administratën e re në Siri për të rritur kapacitetin mbrojtës dhe të sigurisë të vendit të shkatërruar nga lufta dhe për të lehtësuar kthimin vullnetar, të sigurt dhe dinjitoz të sirianëve.
Një delegacion nga ministria vizitoi dje Sirinë për diskutime teknike, shtoi ai.
“Si Türkiye, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit sirian, siç kemi bërë deri më tani”, tha ai.
“Vizita e djeshme është domethënëse pasi shënon delegacionin e parë dhe kontaktin e parë nga selia e ministrisë sonë në Siri. Gjatë takimit u shkëmbyen mendime reciproke se çfarë mund të bëhet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, veçanërisht në përpjekjet e përbashkëta për të luftuar organizatat terroriste që përbëjnë një kërcënim si për Sirinë, ashtu edhe për Türkiye. Diskutimet tona do të vazhdojnë në përputhje me nevojat që dalin në periudhën e ardhshme”, theksoi zëdhënësi.
– Operacionet ushtarake në Irak, Siri
Aktürk theksoi gjithashtu se forcat turke po kryejnë operacione “të vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse” kundër terrorizmit për të eliminuar kërcënimet në burimin e tyre.
“Gjatë javës së kaluar, 57 terroristë u neutralizuan në operacionet kundër terrorizmit të kryera në veri të Irakut dhe Sirisë, duke e çuar numrin e përgjithshëm këtë vit në 278”, tha ai, duke shtuar:
“Për më tepër, tre terroristë të PKK-së u dorëzuan javën e kaluar. Ne përsërisim se dorëzimi para drejtësisë turke është opsioni i vetëm i zbatueshëm për terroristët”.