Ballina Lajmet Kosovë Ministria e Arsimit del me sqarim pas debatit për doracakun e edukimit...

Ministria e Arsimit del me sqarim pas debatit për doracakun e edukimit seksual

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka reaguar ndaj debatit të fundit mbi edukimin seksual në shkolla.

MASHTI ka sqaruar se nuk ekziston një kurrikulë e veçantë për edukimin seksual dhe se nuk ka tekste shkollore specifike për këtë temë, siç është raportuar.

Sipas MASHTI-t, edukimi seksual përfshihet në kurrikulën e Kosovës përmes kompetencës “Individ i shëndoshë,” si çështje ndërkurrikulare që trajtohet në lëndë të ndryshme nga perspektiva shkencore, shoqëror-kulturore dhe shëndetësore, duke ndjekur standardet evropiane të OBSH-së për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të rinjve.

Në procesin e hartimit të materialeve mbi edukimin seksual, në vitin 2016, MASHTI themeloi një grup punues me ekspertë nga fusha të ndryshme, duke përfshirë përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ekspertë të kurrikulës dhe mësimdhënës.

Ky grup, i mbështetur nga UNFPA, ka krijuar doracakë për mësimdhënës dhe broshura informative për prindërit, të cilat janë miratuar nga MASHTI më 10 shkurt 2020.

MASHTI thekson se këto doracakë nuk janë të detyrueshëm dhe nuk përdoren si tekste mësimore për nxënësit.

Ministria nënvizon se informacionet e pavërteta dhe manipulimet që po përhapen për këtë çështje, duke i paraqitur doracakët si libra shkollorë të detyrueshëm, dëmtojnë mirëqenien dhe sigurinë e fëmijëve.

MASHTI rithekson angazhimin për rishikimin e materialeve arsimore me qëllim që ato të përmbajnë përmbajtje të përshtatshme dhe shkencërisht të sakta, duke informuar se ky proces do të vazhdojë edhe për doracakët e edukimit seksual dhe materialet e tjera për mësimdhënës

Exit mobile version