Ministri thotë se Vitia do të ketë qasje në autostradë, por jo me koston 50 milionë euro

Ministri i Infastrukturës, Lumir Abdixhiku ka sqaruar edhe njëherë vendimin e Qeverisë për shfuqizimin e vendimit për zgjatje të afatit të përfundimit të kontratës për ndërtimin e Autostradës “Arbën Xhaferi”.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka reaguar lidhur me deklarimet e opozitës se me vendimin e djeshëm, Qeveria Kurti i ka lënë banorët e regjionit të Vitisë pa qasje në autostradë, duke thënë se qasja e Vitisë në autostradë garantohet me Vendimin e Qeverisë Mustafa të marrë 3 vite më parë.

“Vendimi i anuluar i djeshëm është krejt tjetër – i qeverisë PAN; që përveç se parapërcaktonte në mënyrë arbitrare një firmë të bënte këtë punë, e bënte me çmim plot 50 milionë euro më shumë. E merrni me mend sa kyçja e sa puna bëhet me këtë shumë?

Kyçjen në Gërlicë të Vitisë e kemi paraparë edhe në programin qeveritar LDK-LVV; kapitulli i 8-te, faqe 32. Për dallim prej fjalëve të qeverisë së shkuar, ne do ta bëjmë këtë punë në këtë mandat. Më mirë e më lirë; më drejtë e më pastërt”, ka shkruar Abdixhiku.