Ministri serb i Shëndetësisë: 17 të plagosur nga Maqedonia e Veriut trajtohen në Serbi

Ministri serb i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar

Ministri serb i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar tha sot se 17 persona të plagosur nga Maqedonia e Veriut trajtohen në katër qendra shëndetësore në Serbi – Qendra Klinike e Serbisë, Akademia Mjekësore Ushtarake, Spitali Ushtarak në Nish dhe QK Nish, raporton Anadolu.

Lonçar njoftoi ardhjen e 12 pacientëve të tjerë.

“Bëhet diagnostikimi dhe terapia, janë fashuar në sallë. Janë lëndime të rënda. Kapacitetet tona janë në dispozicion të tyre. Ne i bartim të gjitha shpenzimet, ne ndihmojmë dhe do të pranojmë gjithçka. Plagët janë jashtëzakonisht të rënda dhe pacientët do të marrin gjithçka si në klinikat më të mira në botë”, tha Lonçar.

Kryeministri në dorëheqje i Serbisë, Millosh Vuçeviq tha pas një takimi me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Ivan Stoilkoviq në Beograd, se të plagosurit do të kenë “kujdesin më të mirë” në institucionet shëndetësore serbe.

Drejtori i Klinikës për Djegie, Kirurgji Plastike dhe Rekonstruktive të Qendrës Klinike Universitare të Serbisë, Milan Stojiçiq tha se nuk është mirë të jepen vlerësime dhe parashikime për shërim, veçanërisht në rastin e lëndimeve nga djegiet.

“Është veçanërisht e keqe të jepet parashikimi në lidhje me përqindjen e djegieve tek ata që kanë një komponent respirator. Kjo do të kristalizohet në ditët në vijim”, tha Stojiçiq.

Kujtojmë se të paktën 59 persona humbën jetën dhe rreth 155 të tjerë u plagosën si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një diskotekë në Koçani.