Ministri Selimi e konfirmon mundësinë e shtyerjes së takimit të 2 shtatorit në Uashington

Ende nuk ka një datë të saktë për takimin e Uashingtonit.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i cili po qëndron për një vizitë në Uashington, së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj- Stublla, tha se takimi është paraparë për 2 shtator, por që ka mundësi të shtyhet për 4 shtator.

Selimi në një prononcim për RTK-në tha se shtyrja për dy ditë e takimit të kryeministrit Hoti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq mund të ndodhë për shkak të agjendave të bartësve kryesorë të këtij takimi.

Ndryshe, gjatë ditës në media është raportuar se takimi në Uashington është shtyer për 4 shtator.

Sipas të njëjtave raportime, nuk përjashtohet mundësia që në këtë takim të marrë pjesë edhe vet presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Ndërkaq, deri tani nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar në lidhje me këto zhvillime nga emisari special për dialogun, Richard Grenell.