Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj bashkë me gjeneralin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jasharin kanë vizituar Kampin e ‘Bondsteel’ e që u priten në takim nga komandanti i grupit për mbështetjen e zonës, kolonel Matthew DiNenna.
Mehaj thotë se u njoftuan me organizimin aktual në kamp, strukturën, kapacitetet, misionin aktual si dhe operacionet.
Postimi i plotë i Mehajt:
“Sot, së bashku me gjeneral Jasharin, vizituam Kampin Bondsteel ku u pritëm nga Komandanti i Grupit për Mbështetjen e Zonës, kolonel Matthew DiNenna.
Nga Kolonel DiNenna u njoftuam me organizimin aktual në kamp, strukturën, kapacitetet, misionin aktual si dhe operacionet.
Gjithashtu, Kolonel DiNenna dhe bashkëpunëtorët e tij, na njoftuan për nivelin e bashkëpunimit me autoritetet vendore qendrore dhe lokale duke theksuar veçanërisht bashkëpunimin shumë të ngushtë me FSK-në.
Së bashku shprehëm besimin dhe vullnetin e natyrshëm që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në vitin 2022.
Festat e fundvitit janë moment i veçantë për të uruar bashkë me falënderimin e madh për miqtë tanë amerikanë dhe gjithë forcave tona aleate të KFOR-it, që larg, si dhe me mallin për familjet e tyre, i shërbejnë vendit dhe qytetarëve tanë!
Së bashku veprojmë!
Së bashku festojmë!
Sê bashku jemi më të fortë!
StrongerTogether”, ka shkruar Mehaj.