Ministri kroat: Më vjen mirë që Kroacia merret nga Kosova si model për Asociacionin

Ministrit i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic Radman gjatë konferencës për media me Ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka folur lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ai është pyetur rreth deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili kishte thënë se Kroacia mund të merret si model për formimin e Asociacionit.

Radman është shprehur se i vjen mirë që Kroacia merret si model i mirë për këtë çështje, teksa tha se në Bashkimin Evropian ka edhe modele të tjera që mund t’i hyjnë në punë Kosovës.

Më tutje ministri kroat shtoi se Kroacia e mbështet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë ku të dyja palët janë të kënaqura.

“Ka shumë modele, të cilat ekzistojnë në botë dhe mund të shfrytëzohen, ndoshta nuk janë të suksesshme, sa mund të zbatohen në sistemet tjera varet edhe nga shtetet, mirëpo sa i përket mënyrës së mëtejme të integrimeve të komunitetit serb, gjithashtu dhe rendit kushtetues ia lëmë Kosovës sepse është çështje e brendshme e Kosovës. Mbështesim çdo rezultat çdo marrëveshje që është rezultat i dakordimit. Kroacia mbështet marrëveshje kur të dyja palët janë të kënaqura”, ka thënë ai.

Tutje ministri kroat dha se Kroacia është shembull i respektimit të pakicave në Bashkimin Evropian.