Ministri izraelit, Smotrich: Qytetet në Bregun Perëndimor të shndërrohen në gërmadha, si Jabalia në Gaza

Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalal Smotrich kërkoi që disa qytete të Bregut Perëndimor të pushtuar të shndërrohen në gërmadha, ashtu si rajoni Jabalia në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Smotrich i cili njihet me pikëpamjet e tij anti-palestineze ka bërë një deklaratë me shkrim nga llogaria e tij në median sociale në lidhje me sulmin e armatosur në qytezën Finduk në veri të Bregut Perëndimor, ku humbën jetën 3 izraelitë.

Duke thënë se “qyteza Finduk, Nablus dhe Jenin duhet të ngjajnë me Jabalian (në Gaza)”, Smotrich tha se edhe në Bregun Perëndimor dëshiron të shohë të njëjtin shkatërrim me atë në Gaza.

Poashtu edhe ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir i cili është në kabinetin e kryeministrit Benjamin Netanyahu, bëri thirrje për t’i dhënë fund bashkëpunimit me administratën palestineze.

Ai rekomandoi që ushtria izraelite të vendoste “pikë kontrolli” në shumë pika në Bregun Perëndimor.

Rajoni Jabalia që ndodhet në veri të Gazës, është një nga vendet ku ushtria izraelite ka kryer sulme intensive që nga 7 tetori i vitit 2023.

Në Jabalia ku shumica e palestinezëve në rajon u zhvendosën me forcë, tërheq vëmendjen shkatërrimi i rëndë.

Ndërtesat që kanë mbetur pa u shembur pavarësisht sulmeve, po shkatërrohen nga ushtria izraelite me makineri ndërtimi dhe eksploziv.