Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ministri izraelit: Nuk do të jemi pjesë e marrëveshjes për armëpushimin dhe...

Ministri izraelit: Nuk do të jemi pjesë e marrëveshjes për armëpushimin dhe shkëmbimin e pengjeve

Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, theksoi se nuk do të jenë pjesë e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve në Gaza që pritet të arrihet me Hamasin, të cilën ai e quajti “një katastrofë për sigurinë kombëtare të Izraelit”, transmeton Anadolu.

Smotrich, lideri i Partisë Zioniste Fetare e ekstremit të djathtë në një postim që ai ndau në llogarinë e tij në rrjetet sociale X e përshkroi armëpushimin dhe marrëveshjen e shkëmbimit të pengjeve me Hamasin si “dorëzim”.

Ministri Smotrich u shpreh se ata nuk do të ishin pjesë e një marrëveshjeje që përfshin heqjen dorë nga një numër i madh i pengjeve izraelite dhe “fitimet e arritura duke derdhur gjak” që përfshin lirimin e të burgosurve palestinezë dhe përfundimin e pushtimit të Gazës.

“Është koha për të vazhduar pushtimin dhe pastrimin e të gjithë Rripit të Gazës me gjithë fuqinë tonë”, tha Smotrich i cili bëri thirrje për “hapjen e portave të ferrit në Gaza derisa Hamasi të dorëzohet plotësisht dhe të kthehen pengjet”.

Sipas televizionit shtetëror izraelit KAN, kryeministri Benjamin Netanyahu u takua dje me Smotrich dhe u përpoq ta bindte atë të mbështeste marrëveshjen.

Smotrich shumë herë është shprehur se ai kundërshton marrëveshjen me Hamasin dhe ka kërcënuar se do të tërhiqet nga qeveria nëse nënshkruhet marrëveshja.

Netanyahu ka vendosur të dërgojë një delegacion negociator të nivelit të lartë izraelit në Katar, ku po zhvillohen bisedimet për një armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve në Gaza, ndërkohë që në Doha ka shkuar delegacioni në të cilën ndodhen edhe David Barnea, drejtor i Mossad, Agjencisë së Inteligjencës së Jashtme të Izraelit si dhe Ronen Bar, drejtor i inteligjencës së brendshme të Izraelit, Shin-Bet (Shabak).

Gazeta izraelite Yedioth Ahronoth, duke cituar burime politike ka pretenduar se është rënë dakord mbi 90 për qind të detajeve të marrëveshjes për shkëmbimin e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit.

Exit mobile version