Ministri izraelit i Mbrojtjes: Ushtria do të marrë nën kontroll shumicën e Gazës

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se operacionet ushtarake në Rripin e Gazës do të zgjerohen në mënyrë të konsiderueshme, duke përfshirë pjesën më të madhe të territorit palestinez.

Në një deklaratë të bërë publike më herët, Katz tha se ushtria izraelite ka rrethuar qytetin më jugor të Gazës, Rafah, me qëllim krijimin e një “zone sigurie”. Sipas tij, forcat izraelite kanë marrë kontrollin edhe të disa zonave në pjesën veriore të Gazës, përfshirë Korridorin Netzarim, ku po zgjerohet gjithashtu prania ushtarake.

Dhjetëra mijëra banorë të Khan Younis dhe zonave përreth janë urdhëruar të largohen menjëherë, për shkak të intensifikimit të luftimeve. Në një postim në platformën X (ish-Twitter), ushtria izraelite paralajmëroi se “do të godasë me intensitet çdo vend prej nga ku lëshohen raketa”.

Ministri Katz shtoi: “Së shpejti, operacionet do të përshkallëzohen dhe do të zgjerohen në shumicën e zonave të Gazës. Ju do të duhet të evakuoheni nga zonat e luftimeve.”

Situata në Gaza vazhdon të jetë jashtëzakonisht e tensionuar, ndërsa organizatat ndërkombëtare të ndihmës paralajmërojnë për pasoja katastrofike humanitare nëse nuk ndalet përshkallëzimi i dhunës.