Ministri iz’raelit i Mbrojtjes: Po përgatitemi për skenarë të ndryshëm në kufirin me Li’banin

Yoav Gallant

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant tha të mërkurën vonë se situata në kufirin verior me Libanin do të ndryshojë ose nëpërmjet një zgjidhjeje politike, ose një operacioni ushtarak në shkallë të gjerë, raporton Anadolu.

Komentet e Gallantit pasuan një vlerësim në selinë e Komandës Veriore në Safed në Galilenë e Epërme pranë kufirit libanez me shefin e shtabit të ushtrisë izraelite Herzi Halevi, komandantin e Komandës Veriore, Ori Gordin dhe komandantin e Forcave Ajrore, Tomer Bar.

“Forcat e IDF-së (ushtrisë) po përgatiten dhe vazhdojnë të përgatiten kundër çdo kërcënimi që na del përpara, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”, shkroi Gallant në X.

“Situata në veri do të ndryshojë me një zgjidhje ose me një operacion ushtarak në shkallë të gjerë; ne kemi obligim që qytetarët t’i kthejmë të sigurt në shtëpitë e tyre”, shtoi ai.

Rreth 120 mijë izraelitë janë evakuuar nga rajonet veriore dhe jugore ngjitur me Gazën në hotele anembanë Izraelit që nga shpërthimi i luftës Izrael-Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar, sipas Kanalit 12 të Izraelit.

“Ne jemi duke kompletuar gatishmërinë tokësore dhe ajrore, duke forcuar sistemet e inteligjencës dhe po përgatitemi për çdo mundësi”, citoi e përditshmja “Times of Israel” të ketë thënë Gallant në një deklaratë.

Javët e fundit, kufiri izraelito-libanez ka qenë skenë e një përshkallëzimi të madh, duke nxitur thirrje të përsëritura nga SHBA-ja për të kontrolluar situatën.

Tensionet janë rritur përgjatë kufirit të Libanit me Izraelin në vazhdën e sulmeve ndërkufitare midis grupit libanez Hezbollah dhe forcave izraelite ndërsa Tel Avivi po ecën përpara me ofensivën e tij vdekjeprurëse në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë rreth 37.400 palestinezë që nga tetori pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas.