Ministri izraelit i Mbrojtjes kërcënon Iranin me “surpriza” nëse sulmon vendin e tij

Yoav Gallant

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant kërcënoi Iranin me “surpriza” nëse sulmon Izraelin, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të televizionit zyrtar izraelit KAN, Gallant u takua me ushtarët izraelitë në veri të Izraelit gjatë ditëve kur u rritën tensionet mes Teheranit dhe Tel Avivit.

Duke thënë se ata u sulmuan në më shumë se një front, Gallant tha se ata dinë të përgjigjen shumë shpejt me një veprim të vendosur sulmues kudo që janë në Lindjen e Mesme kundër atyre që sulmojnë territorin izraelit.

“Përgjigjja e Izraelit do të jetë shumë efektive dhe një nga gjërat në të cilat kemi patur sukses gjatë viteve është se armiku nuk e di kurrë se çfarë surprizash kemi përgatitur për të”, tha Gallant.

Ministri i Jashtëm izraelit, Yisrael Katz, në postimin e tij në X tha se ata do të përgjigjen dhe do ta shënjestrojnë këtë vend nëse do të sulmohet Izraeli nga territori iranian.

Izraeli po përgatitet për një hakmarrje të mundshme nga Irani pasi më 1 prill udhëheqësi i Gardës Revolucionare, Mohammad Reza Zahidi, u vra gjatë bombardimit të konsullatës iraniane në kryeqytetin e Sirisë, Damask.

Izraeli më 1 prill kreu sulm ajror në ndërtesën e konsullatës në kampusin e ambasadës së Iranit në Damask. Në sulm, u vranë 7 persona nga Ushtria e Gardës Revolucionare iraniane, 2 prej të cilëve gjeneralë. Gjithashtu raportohet se nga sulmi kanë humbur jetën 6 shtetas sirianë.