Ministri iz’raelit i mbrojtjes: Faza e ardhshme e lu’ftës kundër He’zbollahut do të fillojë “së shpejti”

Mes lajmeve që sinjalizojnë një ofensivë të mundshme tokësore në Libanin jugor në vazhdën e bombardimeve masive të Izraelit dhe pas vrasjes së liderit të Hezbollahut, ministri izraelit i mbrojtjes tha sot se faza tjetër e luftës kundër grupit libanez do të “fillojë së shpejti”, transmeton Anadolu.

Sipas uebsajtit të lajmeve Ynet, Yoav Gallant ka pohuar se faza tjetër “do të jetë një faktor i rëndësishëm në ndryshimin e situatës së sigurisë” dhe do të mundësojë kthimin e izraelitëve të zhvendosur nga vendbanimet në Izraelin verior, një zonë në kufi me Libanin që ka qenë në shënjestër të Hezbollahut.

“Ne do të bëjmë atë që duhet për të ndryshuar situatën dhe për t’i kthyer banorët në shtëpi”, citoi Ynet të ketë thënë Gallant.

Disa media izraelite kanë raportuar së fundmi për një operacion të mundshëm tokësor në Libanin jugor mes sulmeve masive ajrore në gjithë vendin që javën e kaluar vranë Hassan Nasrallahun, udhëheqësin e Hezbollahut.

Naim Qassem, zëvendëssekretari i përgjithshëm i grupit, tha sot se grupi do të zgjedhë një udhëheqës të ri “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Që nga 23 shtatori, Izraeli ka kryer sulme masive ajrore kundër atyre që i quan objektiva të Hezbollahut në gjithë Libanin, duke vrarë më shumë se 960 njerëz dhe duke plagosur mbi 2.770 të tjerë, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.

Disa liderë të Hezbollahut janë vrarë nga sulmet, duke përfshirë liderin e saj Hassan Nasrallah.

Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë afro 41.600 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund ta përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.