Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ministri izraelit: Do të reduktojmë në nivel minimal ndihmat për Gazën kur...

Ministri izraelit: Do të reduktojmë në nivel minimal ndihmat për Gazën kur Trump të marrë detyrën

Bezalel Smotrich

Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, ka deklaruar se ata do të reduktojnë hyrjet e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës në nivelin minimal pasi presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, të marrë detyrën, transmeton Anadolu.

Smotrichtha se pasi Trump të betohet si president i SHBA-së më 20 janar, administrata izraelite do të reduktojë ndihmën humanitare për Gazën “në nivelin minimal të kërkuar nga ligji ndërkombëtar”.

“Izraeli duhet të qëndrojë në Gaza për një kohë shumë të gjatë. Ne duhet të ndalojmë së frikësuari nga fjala pushtim”, u shpreh Smotrich.

Duke pretenduar se përpjekjet për të përfshirë Autoritetin Palestinez dhe shtetet arabe në administrimin e Gazës pas tërheqjes së ushtrisë izraelite janë joreale, Smotrich tha më tej se “nuk ka asnjë palë tjetër që të derdhë gjak për ne”.

“Ne jemi gati për një qasje të ndryshme, për të pushtuar, mbajtur dhe ndarë Rripin e Gazës në zona”, tha Smotrich, duke shtuar se Izraeli “do të marrë përgjegjësinë për civilët në Gaza”.

Ministri izraelit gjithashtu tha se ai nuk beson se mund të mbahen negociata me Hamasin, si dhe pretendoi se Izraeli do të ketë një vend më të fortë në tryezën e bisedimeve pasi Trump të marrë detyrën si president i SHBA-së më 20 janar.

Thuhet se administrata e Tel Avivit ka penguar në masë të madhe hyrjen e ndihmave humanitare dhe po përdor urinë si armë në Rripin e Gazës, e cila është nën sulme izraelite që nga 7 tetori i vitit 2023.

Exit mobile version